Në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë janë mbledhur qindra njerëz duke protestuar për përdhunimin e një 11-vjecareje nga 5 persona disa ditë më parë.
Në këtë protestë po kërkohet mbrojtje dhe siguri nga shteti për vajzat dhe gratë, trajtim të drejtë të rasteve të dhunës ndaj grave dhe dënime maksimale për dhunuesit.
Protesta vjen si rezultat i ngjarjes së rëndë që ndodhi më 27 gusht 2022, kur u dhunua 11-vjeçarja.
Nën brohoritjen “Kërkojmë mbrojtje për vajzat dhe gratë”, u kërkua dënimi i merituar për të gjithë dhunuesit e vajzave dhe grave. “Boll më, nuk durojmë”, “Pedofilët në burg”, “Poshtë patriarkati”, “Poshtë përdhunuesit”, “Përdhunuesit në burg”, ishin disa nga thirrjet e protestuesve.










Gjithashtu, në duart e protestuesve ishin edhe fotografitë me emrat e pesë personave që dyshohet se dhunuan 11-vjeçaren.
Pas rastit të përdhunimit të 11-vjeçares, si akt moral ka dhënë dorëheqje drejtori i Drejtorisë për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve pranë Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), Ali Gashi. Një ditë më parë, pas këtij rasti ka dhënë dorëheqje edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.
Protestë për këtë ngjarje pritet të ketë edhe në Tiranë dhe Shkup. Këto dy vende kanë vendosur që të solidarizohen me Prishtinën dhe ngjarjen e ndodhur. Protesta në Tiranë është paralajmëruar të fillojë nga ora 18:00, ndërsa ajo në Shkup nga ora 17:00.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




