Më të mirat 2022

Pse u katërfishuan turistët spanjollë në Shqipëri gjatë korrikut?

INSTAT raportoi se prurjet e turistëve spanjollë në Shqipëri gjatë korrikut janë katërfishuar por ky për operatorët turistikë nuk ishte lajm surprizë.

Ata i kishin vënë re që në fillim të majit turistët spanjollë gjatë rrugëve të Tiranës dhe kishin krijuar pritshmëri të larta për ardhjet e tyre gjatë sezonit.

Arsyeja themelore sipas tyre është fakti që këtë vit për herë të parë janë shtuar fluturimet direkte me Spanjën nga Wizz Air.

Besnik Vathi, Kryetari i Shoqatës së Tur-operatorëve thotë për Gazetasi.al se fluturimet e drejtpërdrejta nga Madridi dhe Barcelona do të vijojnë ta mbajnë të lartë numrin e spanjollëve që vizitojnë Shqipërinë.

Besnik Vathi, Kryetari i Shoqatës së Tur-operatorëve thotë se spanjollët janë më shumë të interesuar për natyrën

“Më parë të gjithë turistët spanjollë që kishin interes për të vizituar Shqipërinë ishin të detyruar të vinin duke bërë ndalesa në shtetet e tjera europiane, gjë që për ta ishte jo vetëm kosto monetare por edhe kohe.

Këtë vit ka dy herë në ditë fluturime direkte drejt Madridit dhe pesë herë drejt Barcelonës, dhe kjo jo vetëm ka lehtësuar lëvizjet por dhe ka nxitur interesin e shumë turistëve.

Vitin e ardhshëm do të shtohet një tjetër linjë drejt Madridit”, shton ai për Gazetasi.al.

Tur-operatorët thotë se spanjollët janë më shumë të interesuar për natyrën dhe turizmin e aventurës se sa për turizmin bregdetar.

“Spanjollët ndryshe nga tregu ukrainas apo rus që duan turizmin blu, parapëlqejnë më shumë turizmin e aventurës. Hiking, kanoe, hedhje me parashutë dhe sporte të kësaj natyre. Por njëkohësisht, ata parapëlqejnë edhe turizmin e kulturës.

Këto ditë mund të vësh re lehtësisht turistë spanjollë nëpër kryeqytet që vizitojnë Muzeun Kombëtar , Bunk Art-in, Shtëpinë e Gjetheve e me radhë.

Një numër i madh i tyre vizitojnë edhe Apolloninë sepse iu kujton kulturën e tyre”, thotë mandej Vathi për Gazetasi.al duke shtuar se spanjollët shprehen se nuk ndihen të huaj në Shqipëri.

“Kultura mesdhetare është pak a shumë e njëjtë dhe ata këtu ndihen si në shtëpi. E gjejnë veten si tek arkitektura ashtu edhe tek historia e natyra. Presim që me këto fluturime të rritet më tej numri i spanjollëve në Shqipëri”, mbyll ai për Gazetasi.al.

Sipas INSTAT fluturimet në korrik janë rritur me 2.2 herë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

Të dhënat nga TIA(Aeroporti Ndërkombëtar Nënë Tereza)tregojnë se gjatë muajit korrik numri i pasagjerëve arriti në 608 mijë, ndërsa gushti pritet të kulmojë në mbi 700 mijë pasagjere.

Aktualisht aeroporti “Nënë Tereza”lidhet me 75 destinacione nga 38 në 2018, ndërsa vitin tjeter kjo shifër pritet të rritet, me një shtim tjetër të fluturimeve po nga Spanja ku shkak do të jetë hapja e hotelit Melia në San Pietro resort në Gjirin e Lalzit.

TIA gjithashtu raporton se në ditë ka rreth 164 fluturime.

Për herë të parë që nga fillimi i publikimit të lëvizjeve të shtetasve, INSTAT nuk ka dhënë tabelën e hyrjeve sipas shteteve. 

Pas Spanjës, INSTAT raporton se Italia është e dyta, me 48.0% nga vendet që kanë hyrjet më të larta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë