Rend dhe Ligj

Dështon arrestimi i Florenc Çapjes, dyshohet se ishte kthyer nga Dubai. Policia i bastis servisin babait dhe e shpall në kërkim

Gazeta Si - Një aksion për arrestimin e të shumëkërkuarit Florenc Çapja në qytetin e Elbasanit duket se ka dështuar.

Policia e Elbasanit organizoi një kontroll në biznesin e babait të Çapjes pas informacioneve se mund të ishte kthyer nga Dubai.

Ai qëndron në arrati prej më shumë se një viti, pasi është kërkim nga drejtësia shqiptare i akuzuar si porositës për vrasjen e babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqiri. Për këtë ngjarje, të ndodhur në Elbasan në vitin 2012 është vënë në pranga xhaxhai i tij, Ardian Çapja.

Por gjatë kontrolleve në servisin e automjeteve në lagjen “Emin Matraxhiu”, policia ka sekuestruar një makinë tip “Alfa-Romeo”, e cila rezulton e vjedhur në Kavajë në prill 2019.

Ndërsa në servis u gjetën edhe 2 targa, të cilat rezultojnë të vjedhura më 29 qershor 2020, aparat celular si dhe një kapele me stemën e policisë.

Policia dyshon se makina dhe targat do të përdoreshin për një vrasje dhe për këtë shpalli në kërkim Fejzulla Çapjen, babain e Florencit, me dyshimin se ka siguruar kushtet dhe mjetet për vrasje.

Dyshimet dhe arratia në Dubai

Në fakt, nuk dihet se çfarë informacionesh ka pasur policia për Florenc Çapjan, që kreu kontrolle në servisin e babait të tij. Ai rezulton se ndodhet i arratisur në Dubai dhe ekstradimi i tij ka mbetur peng i çështjeve proceduriale.

Babai i Florenc Çapjes, Fejzulla Çapja, do të akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”.

Operacioni ka qenë në bashkëpunim me SPAK dhe burime të sigurta konfirmojnë se do të kryhet verifikim nëse makina dhe targat do të përdoreshin në ngjarjen e rrëfyer nga bashkëpunëtori i drejtësisë Nuredin Dumani, për planin e ekzekutimit të Sokol Sanxhaktarit me kërkesë të Florenc Çapjas. 

Lidhur me akuzat për vrasjen e babë e bir në Elbasan, është vënë në pranga prej një viti xhaxhai i Florencit, Ardian Çapja.

Gentian Beqiri u vra më 15 gusht 2012, ndërsa babi i tij Nezir Beqiri u rrah për vdekje në po të njëjtën ditë. Emri i Gentian Beqirit lidhet me vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, në vitin 2005.

I konsideruar si një nga njerëzit më të kërkuar të drejtësisë shqiptare, Florenc Çapja mësohet se është lënë i lirë nga policia e Dubait rreth një vit më parë.

Kjo ka ardhur në një kohë ku në Shqipëri vijojnë procedurat për ekstradimin e tij, ku SPAK i është drejtuar me 3 kërkesa Emirateve të Bashkuara, duke kërkuar që t'i komunikohet mbyllja e hetimeve, dërgimi i çështjes në gjyq dhe kërkesa për ekstradim.

Por mësohet se Florenc Çapja prej 12 korrikut 2021 është një qytetar i lirë në Emiratet e Bashkuara Arabe, pasi policia i ka hequr mbikëqyrjen.

Akuzat dhe vrasja e babë e bir në Elbasan

Florenc Çapja së bashku me xhaxhanë e tij, Ardjan Çapja si edhe Ervis Bardhi, Etien Cani, Klajdi Dokolli dhe Olsi Leku akuzohen nga Prokuroria e Posaçme se në vitin 2012 kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal, duke ekzekutuar në shenjë hakmarrje brenda shtëpisë së tyre, Gentian Beqirin dhe të atin e tij, Nezir Beqiri.

Ata u vranë në banesën e tyre, ku Gentian Beqiri allias Ardian Meta ishte në ‘arrest shtëpie’ dhe ruhej me dy policë në derën e shtëpisë, pasi akuzohej si autor i vrasjes së biznesmenit të njohur Sokol Çapja, ngjarje kjo e ndodhur në dhjetor të vitit 2005, i cili dyshohet se u pagua nga fisi i Çelajve.

Vrasja e Gentian Beqirit, është kryer në ambientet e brendshme të banesës së tij, që ndodhet në lagjen “Sporti i vjetër” në Elbasan.

Ai qëndronte i shtrirë në krevat, pasi ishte i paralizuar dhe është qëlluar për vdekje me 7 plumba me një pistolete me silenciator dhe më pas autorët mbytën edhe babanë e tij Nezir Beqiri.

Krimi ndodhi ndërkohë që jashtë derës së shtëpisë ruanin dy punonjës të policisë, të cilët u akuzuan më pas për “shpërdorim detyre”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë