Gazeta Si – Një 50-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali, pasi rreth dy javë më parë rrahu një 25-vjeçare në një palestër në Peskara të Italisë.
Mediat italiane raportojnë se Edmond Xhafa ka sulmuar dhunshëm të renë për arsye xhelozie, edhe pse mes tyre nuk kishte pasur një marrëdhënie. Ndaj tij u caktua masa e paraburgimit, ndërsa më parë ka qenë i dënuar në Itali për vepra të tjera penale.
Viktima u godit nga “bodybuilderi” shqiptar me një grusht të fortë në fytyrë. Pasi ajo ra në tokë, ai e tërhoqi zvarrë nga flokët dhe më pas i hodhi një peshë prej 12 kilogramësh pa e goditur.
Por hakmarrja e shqiptarit nuk mbaroi me kaq. Ai ndoqi vajzën dhe e mbajti të mbyllur në një dhomë në palestër.
Tashmë ajo ndodhet në spital me plagë në trup dhe fytyrë dhe duhet të qëndrojë për disa ditë në kujdesin e mjekëve.
Xhafa akuzohet për dhunë të rëndë dhe rrahje me dashje dhe policia italiane thekson se arsyet e sulmit “do t’i atribuoheshin xhelozisë”.
Mes të dyve nuk ka pasur asnjëherë ndonjë lidhje romantike, por dyshohet se 50-vjeçari ka pasur ndjenja të pashmangshme për vajzën.
Sipas policisë italiane, Xhafa dyshohet se ka kryer ndaj viktimës “sjellje të përsëritura përndjekjeje – sqarohet në një shënim – që konsiston në sulmin verbalisht ndaj saj sa herë që e shihte në palestër duke folur me një djalë”.
Shqiptari “i kërkonte shpjegime asaj për këtë sjellje, ndërsa e kontrollonte vazhdimisht, i thoshte asaj se duhej të qëndronte në shtëpi dhe se nuk duhej të dilte me askënd përveç tij”.
Po ashtu, ai “e ofendonte me fjalë si ‘shpifësirë e m….’, duke e kërcënuar se po ta shihte përreth me ndonjë djalë do ta qëllonte me armë në këmbë, kështu që ajo nuk do të mund të stërvitej më, duke specifikuar se nuk kishte asgjë për të humbur”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.