Rend dhe Ligj

Përgjimi: Kur Ndoka kërcënonte edhe familjen e tij për prona

Prokuroria pretendon se ka një dosje të plotësuar me përgjime dhe prova të tjera që provojnë se ish-deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ndoka drejtonte një grup të strukturuar kriminal me objekt falsifikimin e dokumentacioneve për pronat në zonën e Lezhës.

Pjesë e këtyre provave të organit të akuzës janë edhe përgjime të shumta, që Gazeta “Si” i disponon. Mes personave në hetim më aktivët në bisedat telefonike të përgjuara janë Gjevi Ndoka dhe Mimoza Ndoka, që të dy nën akuzë nga prokuroria për veprat penale të falsifikimit të dokumenteve, vulave dhe stampave zyrtare në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Rrjedhja kohore e përgjimeve tregon se një pjesë e mirë e tyre janë realizuar nga prokuroria dhe policia para dhjetorit të 2017, kohë kur u ekzekutua në pranë banesës së tij Aleksandër Ndoka, vëllai i Arben Ndoka.

Në një pjesë të tyre prokuroria thotë se kuptohet qartë që ka patur një konflikt edhe mes vetë vëllezërve për pronësinë e 5 dynymëve tokë në zonën bregdetare. Arben Ndoka, thotë Prokuroria, ishte pronar de fakto i kësaj prone dhe pandehte se edhe juridikisht, familjarët e tij që punonin në hipotekë e kishin kaluar në emër të tij.

Por, kur verifikon se prona në fakt ishte në pronësi të shtetasit Altin Tom Mika, dhëndër i të ndjerit Aleksandër Ndoka, Arbeni debaton ashpër me familjarët e tij, që nuk janë sjellë sipas rregullave “kanunore”. Ai është acaruar dhe ka akuzuar vëllain e madh se ja kishte dhënë pa ndonjë shpjegim dhëndërrit të vet parcelën.

Arbeni ka kërkuar llogari si nga familjarët e tij, ashtu edhe nga punonjësit në zyrat përkatëse shtetërore, që prona objekt konflikti duhej kthyer me patjetër në pronë shtet dhe pastaj dinte ai se si të vepronte për ta marrë.

Kështu ai debaton me Gjevi Ndokën, Mimoza Ndokën, Bardhok Bardhin, inxhinier dhe Bledar Caran, kushëri i tyre që punon në hipotekë. Në një bisedë të përgjuar mes Mimoza dhe Gjevi Ndokës, sipas Prokurorisë, tregohet shqetësimi që kishte Mimoza me Gjevi Ndoka pasi kishin frikën e ndonjë përplasjeje fizike ndërmjet vëllezërve Aleksandër dhe Arben.

Në përgjimet e transkriptuara të Prokurorisë del në pah frika që kishin si Mimoza, ashtu edhe Gjevi Ndoka ndaj veprimeve që mund të bënte Arben Ndoka. Të dy ata janë vënë në lëvizje për të plotësuar kërkesat e të afërmit të tyre dhe komunikojnë shpesh me njëri-tjetrin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë