Drejtësia

Aksioni në Lezhë, ndalohen 4 persona që tjetërsuan pronat në Shëngjin

Gazeta Si - Në një operacion të nisur mbrëmjen e të martës, policia po ekzekuton vendimet e apelit të GJKKO për personat e dënuar për tjetërsimin e pronave në Shëngjin.

Sipas burimeve paraprake, deri tani janë ndaluar të paktën dy persona, të cilët janë identifikuar si Zef Lazri, Vlash Gaxulli, Kol Lleshi dhe Genc Zeneli.

Zef Lazri ishte dënuar me 8 muaj burg, por me vendimin e Apelit, do të duhet të vuajë  4 vjet e 8 muaj burgim, i cili do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë. Vlash Gaxulli që ishte 2 vite burg, me kusht, do të vuajë 2 vjet e 8 muaj burg.

Genc Zeneli ishte dënuar me 2 vite burg, me kusht, por do të vuajë 2 (dy) vjet e 4 (katër) muaj burgim, ndërsa Kol Lleshi që ishte 2 vite burg, me kusht, dënohet me 2 vjet e 4  muaj burgim. Gaxulli, Zeneli dhe Lleshi do të kryejnë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme.

Në dosjen e tjetërsimit të pronave në Shëngjin ishin dhe 10 persona të afërm dhe me lidhje me ish-deputetin e PS, Arben Ndoka.

Prokuroria zbuloi një sipërfaqe prej 234 mijë metrash katrorë tokë në zonën e “Ranës së Hedhun” që ishte përfituar përmes falsifikimit të dokumenteve. Bashkia Lezhë dhe Këshilli i Qarkut Lezhë “nëpërmjet shkresave përkatëse zyrtare, pavarësisht se në realitet (tokat) janë mal dhe ranishte i kanë konfirmuar si toka të kategorisë “Arë” dhe “Pemtore”.

Sipas vendimit për konfiskim parcelat ishin regjistruar në emër të personave që nuk kishin të drejtë të përfitonin tokë në atë zonë.

Grupit në total iu sekuestrua një pasuri prej 55 milionë euro për tjetërsimin e pronave në bregdet.

Lista e të dënuarve:

Xhevi Ndoka ishte dënuar me 6 vite e 8 muaj burg, dënimi i shkon në 10 (dhjetë) vjet burgim, i cili do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.

Mimoza Ndoka ishte dënuar me 1 vit 4 muaj, me kusht, teksa me vendimin e apelit i shkon 5 vjet e 4 muaj burgim, i cili do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

Emanuel Gjura ishte dënuar me 4 vite e 8 muaj burg, ndërsa i ndryshon me një dënim prej 6 vjet burgim, i cili do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.

Zef Lazri ishte 8 muaj burg, dënohet me 4 vjet e 8  muaj burgim, i cili do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.

Blendi Ndoka ishte me 3 vite e 6 muaj burg, dënohet me 6 vjet e 8 muaj burgim, i cili do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.

Luigj Paloka 4 vite e 8 muaj burg, me kusht, dënimi shkon në 5 vjet burgim, i cili do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

Paulin Simoni ishte 3 vite e 4 muaj burg, dënohet me 3 vjet e 8 muaj burgim, i cili do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

Vlash Gaxulli ishte 2 vite burg, me kusht, 2 vjet e 8 muaj burgim, i cili do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

Genc Zeneli ishte  2 vite burg, me kusht, dënohet me 2 (dy) vjet e 4 (katër) muaj burgim, i cili do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

Kol Lleshi ishte 2 vite burg, me kusht, dënohet me 2 vjet e 4  muaj burgim, i cili do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

Marjeta Përskura dënohet me 1  vit e 8 muaj burgim, i cili do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë