Gazeta Si – Gjatë vizitës së tij në Holandë, kryeministri Edi Rama ka hedhur për diskutim idenë e presidentit të Francës, Macron, për një komunitet të ri evropian.
Në këtë aspekt, Rama thotë se Rutte i kërkoi që Shqipëria dhe Holanda të punojnë bashkërisht se si duhet të jetësohet ideja e komunitetit të ri evropian.
Këtë këndvështrim, Shqipëria e Holanda do ta paraqesin në samitin e BE që do të mbahet në Pragë gjatë muajit Tetor.
“Shqipëria bashkë me Holandën do të përgatisin një propozim të tyren për se si duhet të artikulohet në terrenin e jetës reale europiane, ideja e presidentit të Francës për Komunitetin e Ri Politik Europian, – ka zbuluar Rama, teksa ka ndarë pamje nga takimi me homologun e tij. – Kjo është një ide e re për të gjeneruar një energji dhe fuqi të re europiane, pa e zëvendësuar dhe as anashkaluar procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian”.
Rama shton se ideja e propozimit shqiptaro-holandez mori jetë pikërisht gjatë vizitës në Hagë, ku duke vlerësuar lart punën dhe arritjet e Shqipërisë, po edhe duke çmuar kontributin kritik në tryezën e Këshillit Europian.
Kreu i qeverisë thekson se kryeministri Mark Rutte, “më kërkoi të hidhnim në letër, bashkërisht, si dy vende mike, njëri në rrënjët e BE-së, tjetri ende jo në BE, një këndvështrim të përbashkët për sesi duhet të jetësohet ideja e komunitetit të ri politik europian”.
Për Ramën, “ky është një moment i paimagjinueshëm deri pak vite më parë i Shqipërisë në arenën politike ndërkombëtare dhe më gjerë si edhe një shprehje prekëse për Shqipërinë e për shqiptarët”.
Ai shton se do të punohet me kryeministrin Rutte për të nxitur një debat konstruktiv e produktiv për Europën e të gjithë europianëve, në Samitin e Madh për këtë temë, në Pragë tetorin e ardhshëm.
“Do të punojmë me kryeministrin Rutte dhe skuadrat tona për të nxitur një debat konstruktiv e produktiv për Europën e të gjithë europianëve, në Samitin e Madh për këtë temë, në Pragë tetorin e ardhshëm, ku do të paraqesim edhe propozimin tonë”, thotë kryeministri Edi Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.