Politike

Eurodeputetët dënojnë dhunën në protesta, kërkojnë hetim për përdorimin e forcës policore

Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Shqipërinë, Marco Tarquinio, dhe raportuesi i përhershëm për Shqipërinë, Andreas Schieder, kanë shprehur shqetësim për përshkallëzimin e protestave në Tiranë.

Në një deklaratë të përbashkët, ata dënojnë dhunën, sulmet ndaj institucioneve dhe shkatërrimin e pronës, ndërsa kërkojnë hetim për raportimet mbi përdorimin e tepruar të forcës nga policia.

Eurodeputetët theksojnë se liria e tubimit dhe e shprehjes paqësore duhet të garantohet dhe u bëjnë thirrje palëve për dialog konstruktiv, në përputhje me ligjet shqiptare dhe standardet evropiane.

Sipas tyre respekti për sundimin e ligjit mbetet kriteri kryesor dhe kushti i detyrueshëm për përparimin e Shqipërisë në rrugën e saj të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Ne dënojmë përshkallëzimin e dhunshëm të këtyre protestave, sulmet ndaj institucioneve publike dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private. U bëjmë thirrje protestuesve të përmbahen nga çdo akt dhune, pasi ato nuk kontribuojnë në një zgjidhje dhe nuk kanë vend në demokraci.

Gjithashtu shprehim shqetësim serioz në lidhje me raportet për përdorim të tepruar të forcës policore kundër protestuesve. U bëjmë thirrje autoriteteve të përmbahen. Gjithashtu u bëjmë thirrje organeve përkatëse të bëjnë çmos për të përcaktuar përgjegjësinë individuale për çdo akt dhune, përfshirë përdorimin e tepruar të forces”, thuhet në reagim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë