Irani po përgatitet për një përshkallëzim të mundshëm të konfliktit me Shtetet e Bashkuara, ndërsa komandantët ushtarakë paralajmërojnë se në një luftë të re mund të përdorin armë dhe taktika të reja.
Gjatë javëve të fundit, zyrtarët iranianë kanë shtuar deklaratat kërcënuese ndaj Uashingtonit dhe aleatëve të tij, duke pretenduar se vendi ka grumbulluar rezerva të mëdha armatimi. Sipas tyre, objektivat e mundshëm mund të përfshijnë bazat ushtarake amerikane, infrastrukturën energjetike, qendrat e të dhënave dhe kabllot nënujorë të internetit.
“Bota do të habitet. Kemi objektiva të reja që ende nuk janë sulmuar”, deklaroi Hossein Mohebbi, zëdhënës i Gardës Revolucionare të Iranit, duke shtuar se forcat iraniane janë përgatitur për një luftë afatgjatë.
Kërcënime përtej Lindjes së Mesme
Sipas analistëve, Teherani po përpiqet të tregojë se një konflikt i ri nuk do të kufizohej vetëm në Lindjen e Mesme. Në rast përshkallëzimi, objektiva të mundshëm mund të jenë edhe instalime ushtarake amerikane në Evropë, përfshirë bazën ajrore Ramstein në Gjermani dhe objektiva në Mbretërinë e Bashkuar.
Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu se Irani mund të mbështetet më shumë te dronët e avancuar, raketat dhe taktikat e koordinuara për të sfiduar sistemet e mbrojtjes ajrore. Megjithatë, disa prej këtyre aftësive të pretenduara nuk janë demonstruar publikisht.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë shqyrtuar mundësi të reja ushtarake, përfshirë përdorimin e bombës konvencionale MOAB, e njohur si “nëna e të gjitha bombave”, në rast se vendoset rifillimi i sulmeve.
Frika rikthehet te popullsia
Përtej deklaratave ushtarake, pasiguria po rëndon mbi qytetarët iranianë. Banorë të Teheranit i kanë thënë CNN se po përgatiten për mundësinë e bombardimeve të reja, duke siguruar ujë, bateri rezervë dhe furnizime bazë.
“Çdo ditë dhe çdo natë presim që bombardimet të fillojnë përsëri”, tha një banor 70-vjeçar i kryeqytetit.
Sipas analistëve, kërcënimet e Iranit synojnë të rrisin koston e një sulmi të ri dhe të frenojnë Uashingtonin. Por ekziston edhe rreziku që këto paralajmërime të interpretohen si provokim dhe të çojnë në një përshkallëzim të mëtejshëm.
Gjiri Persik në gatishmëri
Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vende të tjera të rajonit mbeten të shqetësuara për sigurinë e tyre, veçanërisht për shkak të rëndësisë strategjike të ngushticës së Hormuzit, një korridor kyç për transportin botëror të naftës.
Zyrtarët iranianë kanë paralajmëruar se një konflikt i ri mund të prekë infrastrukturën energjetike dhe teknologjike në të gjithë rajonin. Nga ana tjetër, Emiratet thonë se janë më të përgatitura për t’u përballur me kërcënimet, megjithëse theksojnë se nuk dëshirojnë një luftë të re.
Për momentin, situata mbetet e pasigurt. Ndërsa Teherani synon të tregojë forcë dhe të pengojë një sulm të ri, çdo llogaritje e gabuar mund ta çojë rajonin drejt një tjetër përshkallëzimi me pasoja të gjera ekonomike dhe ushtarake.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje