Rend dhe Ligj

Atentat në Shkodër, ekzekutohet duke pirë kafen Naim Bajri

Një person ka mbetur i vrarë dhe një tjetër i plagosur pas një breshërie automatike që ka tronditur qytetin e Shkodrës mëngjesin e kësaj të premte.

Naim Bajri, 68 vjeç ka mbetur i vrarë në vend dhe Astrit Zeneli është plagosur nga sulmi me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Partizani” në vendin e njohur si “Markata e Rusit”.

Sipas dëshmive paraprake, viktima dhe i plagosuri ishin duke pirë kafen e mëngjesit në momentin kur pranë tyre në rrugën përballë lokalit kalon një automjet tip “Mercedes Benz”.

Shënjestra e sulmit ka qenë Naim Bajri, të cilin autori e ka qëlluar nga afër, ndër një tjetër person ndodhej në drejtimin e automjetit. Pas sulmit, ata janë larguar me shpejtësi në drejtim të anashkalimit të Shkodrës.

Pak minuta më vonë, në vendin e njohur si livadhi, në lagjen “Guerrile”, Shkodër, është gjetur i djegur një mjet që dyshohet të jetë përdorur nga autorët.

Naim Bajri ka marrë të paktën 7 plumba dhe ka gjetur vdekjen në vend, ndërsa i plagosuri një plumb në krah dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Lokali ku ndodhi ngjarja është në pronësi të Naim Bajrit, ndërsa i plagosuri ishte i punësuar i tij në këtë lokal.

Naim Bajri është babai i Indrit Bajrit i ekzekutuar me snajper më shum se 20 vite më parë, në tetor të vitit 2001 në Shkodër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë