Rend dhe Ligj

Nuk ka shtetrrethim në finalen e 25 majit në Tiranë, por rrugët do të bllokohen  

Gazeta Si – Në 25 maj, ditën e finales së Conference League, Tirana nuk do të jetë në shtetrrethim, edhe pse disa rrugë do të bllokohen.

Madje sipas drejtorit të Policisë së Shtetit Gledis Nano, ata që nuk kanë punë për të ardhur atë ditë “u sugjeroj për të mos ardhur në Tiranë”.

Në një deklaratë për mediat, Nano tha se të mërkurën nuk do të ketë shtetrrethim në Tiranë, por vetëm bllokim të disa rrugëve.

Kreu i policisë përsëriti se Tirana do të jetë e bllokuar për ata që duan të vijnë në kryeqytet atë ditë, duke kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve.

“Këto ditë është thënë që në 25 maj do ketë një shtetrrethim. Dua t’u bëj me dije e t’u kërkoj mirëkuptim qytetarëve, që data 25 do jetë ditë feste. Mos përhapim panik lidhur me shtetrrethime. Patjetër që do ketë bllokim të rrugëve. Tirana do jetë e bllokuar për ata që duan të vijnë në Tiranë”, – tha ai.

Ai tha se së shpejti do njoftohet cila rrugë dhe segmente do të jenë të bllokura dhe cilat do të kenë lëvizje apo lëvizje të kufizuar.

I pyetur nëse janë marrë masa për tifozët e Feyenoordit, të cilët njihen për trazira, kreu i Policisë së Shtetit tha: “Masat e marra deri më tani janë masa që i kanë ndarë që në ardhje të dy tifozeritë. Po kështu e fun- zone që do jenë në Tiranë, janë marrë masa që të mos lejohen dy tifozeritë të krijojnë përplasje”.

“Është e vërtetë që tifozeritë kanë dhe ultras apo tifozë me tendenca të dhunshme e huligane, por kjo është një ditë feste e duhet të jetë promovim i vlerave të qytetarëve evropianë. S’do lejojmë kurrsesi që një pakicë e vogël tifozësh që nën efektin edhe të pijeve alkoolike apo adrenalinës që shkakton sporti të prishin imazhin e vendit tonë”, – theksoi Nano.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë