Rend dhe Ligj

Dy shoferë të tjerë nën efektin e drogës, shkon në 15 numri i të arrestuarve

Gazeta Si – Dy shoferë të tjerë kanë rënë në pranga, pasi kanë përdorur lëndë narkotike pas testit të drogës.

Në rrugën “Lekë Dukagjini”, policia ka ndaluar mjetin me drejtues shtetasin D. D., 21 vjeç, ndërsa në rrugën “Kristo Luarasi”, kanë ndaluar mjetin me drejtues shtetasin D. D., 22 vjeç.

Gjatë kontrollit fizik ndaj pasagjerit në mjetin që drejtonte shtetasi D.D., 22 vjeç, shtetasit R. C., 22 vjeç, i cili nuk i është bindur urdhrave të punonjësve të Policisë për kontroll, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit kanabis.

Në vijim të veprimeve është bërë arrestimi në flagrancë i drejtuesve të mjeteve, sepse pas testimit me AquilaScan kanë rezultuar se drejtonin mjetet nën efektin e lëndëve narkotike.

Gjithashtu u procedua penalisht në gjendje të lirë pasagjeri, shtetasi R. C., për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”.

Që prej nisjes së përdorimit të aparatit policor “Aquilanscan”, janë arrestuar deri tani 15 shoferë.

Edhe Ajas Sulejmani, 39-vjeçari që shkaktoi aksidentin në “Rrugën e Kavajës”, doli se kishte përdorur lëndë narkotike.

Ndërkohë, janë vendosur 984 masa gjoba për mosdhënie përparësie këmbësorëve, për shpejtësi tej normave të lejuara apo manovra të rrezikshme në rrugë, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, për mosvendosje të rripit të sigurimit dhe për mosvendosje të kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë