Aksionet e policisë kundër hajdutëve të rëndomtë nxiten në të shumtën e rasteve nga hamendësime, perceptimin e denoncimin shoqëror dhe pa prova konkrete, që të ndaluarit të gjykohen dhe më pas dënohen nga drejtësia.
Kjo konfirmohet edhe në raportin vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme, që thotë se në 78 për qind të rasteve kur ka pushuar hetimet për mungesë provash akuza lidhej me atë të vjedhjes së pronës .
Vepra e dytë me më shumë pushime të hetimeve është ajo që lidhet me krimet kundër rendit dhe sigurisë publike. Kjo përbën 14 për qind të rasteve totale të pushuara përgjatë vitit të kaluar. Në këtë kategori përfshihen edhe të ndaluarit për shkelje të kufizimeve të Covid dhe ata për protesta e bllokime rrugësh.
Po për vitin e kaluar, Tropoja ka rritjen më të madhe të numrit të procedimeve penale nga ana e prokurorisë, me rreth 69 për qind më shumë në krahasim me 2020. Më pas vjen Lezha me 36 për qind më shumë, Lushnja me rreth 27 për qind dhe Berati me 16 për qind.
Ulje të procedimeve raportohen nga prokuroritë në Krujë me 31 për qind më pak se 2020, Gjirokastra e Puka me nga 14 për qind dhe Elbasani me rreth 9 për qind.
Sa i takon Tiranës, është regjistruar një rritje e lehtë me 3.5 për qind e procedimeve të reja të Prokurorisë. Në total, raporti i prokurorisë vë re një rritje të kriminalitetit. Sipas koeficientit të kriminalitetit për procedimet penale 1002 për 100 mijë banorë, nga 979 për 100 mijë banorë që ishte ky koeficient në 2020.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




