Gazeta Si – Projekti i Ministrisë së Drejtësisë për punësimin e të dënuarve në burgjet e vendit, do të bëhet së shpejti realitet.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha se janë 380 të dënuar që do të punësohen në fazën e parë, ndërsa ata do të paguhen deri në 30 mijë lekë të reja në muaj.
Bëhet fjalë për 380 të burgosur që vuajnë dënimin në IEVP-të e Shqipërisë dhe do të kenë mundësi të punësohen në administratën e burgjeve, por edhe në sektorin privat, në kuadër të ligjit të ri për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve.
“Kemi lançuar sot nga IEVP Durrës, projektin ambicioz të punësimit të të dënuarve me 15 të angazhuarit e parë. Deri në fund të vitit, do të punësohen 680 persona, 380 nga administrata e burgjeve që do të paguhen me 25% të pagës së pozicionit dhe 300 në bashkëpunim me sektorin privat, që do të paguhen me pagën minimale”, – tha ai.
Ai ka shpjeguar se punësimi i personave që vuajnë dënimin në institucionet shqiptare, nuk do të jenë vetëm në administratën e burgjeve, por edhe në sektorin privat.
“Në burgun e Fierit po diskutohet të punësohen 200 të dënuar në sektorin privat, po ashtu edhe 70 të dënuar në IEVP e Reçit. Në total siç e thashë do të jenë 380 të punësuar në këtë fazë të parë. Në lidhje me punësimet në bashkëpunim me sektorin privat, jemi në bisedime me shumë kompani, kryesisht në fushën e fasonerive”, tha ministri.
Ai shpjegoi edhe mënyrën e pagesës që do të kryhet sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, ku të punësuarit në administratën e burgjeve dhe që paguhen me fondin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve do të kenë 25 për qind të pagës së funksionit që kryejnë, ndërkohë që të punësuarit në sektorin privat do të paguhen me pagën minimale.
Në kuadrin e vjetër ligjor, puna e të dënuarve shpërblehej me zbritje të ditëve të dënimit. Në projektin e punësimit mund të përfshihen vetëm të dënuarit me vendim të formës së prerë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




