Pas publikimit të audio-përgjimit, në bazë të të cilit Federata Shqiptare e Futbollit thotë se kryebashkiaku Erion Veliaj po bën presion ndaj Armand Dukës, ka reaguar edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Në një deklaratë për mediat, Veliaj thotë se u qëndron një për një të gjitha atyre që ka thënë, duke e konsideruar audion e publikuar nga FSHF një “palo-përgjim”.
Sipas tij bëhet fjalë për një bisedë djemsh që ka dalë në mënyrë të qëllimshme nga konteksti.
“U qëndroj një për një atyre që kam thënë në atë palo-përgjim të Federatës së Futbollit, e cila në vend se të garantojë barazinë e garës për kreun e saj, angazhohet në përgjime dhe shantazhe për llogari të beut të saj!”.
Veliaj thekson se Bashkia e Tiranës është aksionere e Klubit të Futbollit “Tirona”, “prandaj askush të mos ngatërrojë përkatësinë time në PS me përfshirjen time si aksioner në këtë proces zgjedhor”, që sipas tij, është “i manipuluar nga beu i FSHF-së, apo të nxjerrë jashtë konteksti një bisedë djemsh, si në çdo fushë futbolli para ndeshjes”.
Duke këmbëngulur se Bashkia Tiranë është aksioner i klubit të Tiranës, Veliaj shton se, “’Pavarësia’ e FSHF-së nuk mund të jetë gjethe fiku për një mbret lakuriq që është kthyer në neverinë e aksionerëve e dashamirësve të futbollit shqiptar, i cili thjesht nuk e ka pëlqimin tonë si një prej aksionerëve”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.