Vaksina e Covid-19 është një nga “vaksinat më të shtrenjta në histori” për vendet e varfra, duke e bërë edhe më shqetësuese faktin se ata që kanë nevojë do të vazhdojnë të luftojnë për të shpëtuar jetën gjatë vitit 2022. Pavarësisht premtimeve ndërkombëtare se vaksinat do të liheshin në dispozicion me çmime të lira për vendet me të ardhura të ulëta (LIC), këto vende po paguajnë shumë përtej normave të pritura.
Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të analizuara nga “The Independent”, tregojnë se qeveritë me të ardhura më të ulëta po paguajnë një çmim mesatar prej 6,88 dollarë për dozë për një vaksinë Covid-19.
Përpara pandemisë, vendet në zhvillim paguanin një çmim mesatar prej 0,80 dollarë për dozë për të gjitha vaksinat e tjera, tregojnë shifrat e OBSH-së.
“Çmimi është i lartë në krahasim me vaksinat e tjera të përdorura në mbarë botën dhe në sasi të mëdha,” tha Tania Cernuschi, drejtuese e ekipit për aksesin global të OBSH-së, imunizimin, vaksinat dhe departamentin biologjik.
Ajo tha se mund të bëhen krahasime me vaksinat e HPV dhe pneumonisë (PCV). Shifrat e OBSH-së tregojnë se kombet me të ardhura më të ulëta paguajnë përkatësisht 4,50 dollarë dhe 3,08 dollarë për dozë për këto dy vaksina, të dyja, si vaksinat kundër Covid-19, janë relativisht të shtrenjta dhe përdoren në të gjitha vendet. Vaksinat universale më të lira, të tilla si ato që mbrojnë kundër tuberkulozit ose fruthit, shytave dhe rubeolës (MMR), kushtojnë midis 0,11 dhe 2,85 dollarë për dozë.

Victorine de Milliano, një këshilltare për politikat në Mbretërinë e Bashkuar për organizatën joqeveritare globale të shëndetit “Médecins Sans Frontières”, tha se shifrat ishin provë e mëtejshme se përgjigja aktuale e pandemisë po dështon dhe kështu do vijojë nëse nuk vaksinohen njerëzit në vendet me të ardhura të ulëta.
“Kompanitë farmaceutike janë më të interesuara për të bërë fitime sesa për të përmirësuar shëndetin publik. Është për të ardhur keq që në një pandemi kompanitë kanë çmime historikisht të larta, veçanërisht duke pasur parasysh fondet publike që shkuan për këto vaksina,”shtoi Milliano.
Disa nga furnizimet e vendeve me të ardhura më të ulëta janë siguruar përmes Covax, iniciativa globale e ndarjes së vaksinave e bashkë drejtuar nga “Gavi” dhe OBSH, e cila mbulon kostot e prokurimit për vendet më të varfra.
Megjithatë, këto kombe duhet të paguajnë vetë për vaksinat e tyre. Shumë prej tyre janë detyruar të bëjnë marrëveshje me prodhuesit.
Në fillim të vitit, doli që Afrika e Jugut ishte detyruar të blinte doza të vaksinës Oxford/AstraZeneca me një çmim 2.5 herë më të lartë se shumica e vendeve evropiane. Bangladeshi dhe Uganda kanë paguar gjithashtu më shumë se BE-ja për vaksinën. Në të njëjtën kohë, vendet me të ardhura më të larta kanë paguar nën normën për furnizimet e tyre të vaksinës Covid-19.

Të dhënat e OBSH-së tregojnë se këto kombe më të pasura zakonisht paguajnë 10,45 dollarë për dozë. Për vaksinat e krahasueshme – vaksinat HPV dhe PCV – ata paguajnë përkatësisht 54,31 dollarë dhe 45,4 dollarë për dozë.
“Në krahasim me vaksinat e tjera, vendet me të ardhura të larta morën një marrëveshje të mirë” për vaksinat e tyre kundër Covid. Por e njëjta marrëveshje e mirë nuk është aty për vendet me të ardhura të ulëta”, ka thënë një burim i OBSH për “The Independent”.
Zyrtarët në OBSH ende nuk kanë përcaktuar një arsye të qartë pse ka ndodhur kjo.
“Po zhvillohen hetime për të analizuar të dhënat dhe për të kuptuar më mirë pabarazitë e çmimeve”, shtoi burimi.
Në mënyrë tipike, vendet më të pasura kanë qenë të parat në radhë për të arritur marrëveshje më të mëdha dhe më fitimprurëse me prodhuesit që kanë përfaqësuar vlerën për para. Në të kundërt, vendet më të varfra janë lënë në fund të radhës dhe janë detyruar të paguajnë më shumë se zakonisht për dozat e tyre. Duke pasqyruar blerjet e bëra deri në shtator 2021, të dhënat e OBSH-së janë nxjerrë nga 180 burime të ndryshme publike dhe qeveritare në 73 vende.
Max Lawson, bashkëkryetar i “Aleancës Popullore të Vaksinave” në Britani dhe kreu i politikës së pabarazisë në Oxfam, tha se vendet e varfra po vuajnë për vaksina dhe mënyra e vetme për ta ndaluar këtë gjë është që qeveritë e mëdha të thyejnë monopolin e “Big Pharma” dhe t’i detyrojnë ato të ndajnë recetat e vaksinave. Ai shtoi se vaksinat duhet të jenë të disponueshme për të gjithë botën, duke pasur një vaksinë për popullin dhe jo një vaksinë për fitime.
Burimi: The Indpendent/ Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




