Analize

Negociatat e Tiranës dhe Shkupit peng deri në dhjetor, Bullgaria mban zgjedhjet e treta parlamentare brenda vitit

Nga Xhuliana Toci – Edhe pse Bashkimi Eurpopian premtoi përparime konkrete, hapja e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë nuk do të jetë e mundur përpara fund vitit të vitit 2021. Të dyja vendet do të duhet të presin deri në fund të dhjetorit, kur liderët e BE-së ta sjellin sërish në vëmendje këtë çështje, me shpresën se Bullgaria do të heqë veton ndaj anëtarësimit të Shkupit, duke hapur kështu rrugën edhe për vendin tonë.

Sllovenia, e cila mban presidencën aktuale të Këshillit të BE-së, nuk do të mund të ndërmarrë asnjë hap konkret për bisedime me Bullgarinë, pasi karrigia e shefit të qeverisë atje është bosh. Bullgaria do të shkojë në zgjedhjet e saj të treta brenda vitit, duke vazhduar të mbajë kështu peng hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo krizë e brendshme politike do të çojë në bllokimin për një vit të nisjes së bisedimeve të anëtarësimit për vendin tonë, pasi procesi u bllokua pasi Sofja vuri veton ndaj  Shkupit janarin e kaluar.

 Çfarë po ndodh në Bullgari?

Socialistët u bënë partia e tretë politike që refuzuan të drejtojnë një qeveri pas zgjedhjeve parlamentare të korrikut, të cilat nuk nxorën një fitues të qartë. Aat hoqën dorë nga planet për të formuar një qeveri pasi aleatët e tyre, partia anti-establishment “Ka një popull të tillë” e komedianit Slavi Trifonov nuk pranoi ta mbështesë. Partia do t’i kthejë mandatin presidentit të martën.

Surpriza e madhe e zgjedhjeve të kaluara ishte pikërisht shfaqja e partisë së Trifonov, i cili ka mbajtur një qëndrim të prerë kundër hapjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut, duke bllokuar për pasojë edhe vendin tonë. Pas premtimeve për fuqizimin e identitetit bullgar dhe bllokimit të rrugës europiane të Shkupit, sondazhet parashikojnë se Trifonov do të korrë një rezultat edhe më të mirë në zgjedhjet e ardhshme. Ai ka shprehur kundërshtime mbi emrin e Maqedonisë së Veriut dhe origjinën e gjuhës maqedonase, e cila sipas tij nuk është asgjë tjetër veçse një dialekt i bullgarishtes.

Slavi Trifonov

Sipas kushtetutës, Presidenti Rumen Radev duhet të shpërndajë parlamentin, të emërojë një administratë të re të përkohshme dhe të përcaktojë datën e zgjedhjeve të reja, të cilat duhet të mbahen brenda dy muajsh.

Zgjedhjet e reja parlamentare mund të mbahen që në 14 nëntor. Kjo do të thotë se deri  në dhjetor, kur qeveria e re do të vijë në detyrë, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të mbesin në vend, duke mos bërë asnjë hap përpara në hapjen e kapitujve të negocimit.

Partia e ish-kryeministrit Boyko Borissov, i cili është për momentin politikani me qasjen më fleksible ndaj Maqedonisë së Veriut, përballet me izolim të plotë në Parlament, duke bërë që mundësitë për ardhjen e tij në pushtet të jenë të vogla.

Situata në Bullgari ka lënë më duar të lidhura BE-në,  e cila edhe pse kishte premtuar zgjidhjen e kësaj cështjeje përpara shtatorit, gjendet e vetme në tavolinën  e bisedimeve, pasi nuk ka me kë të negociojë në Sofje.

“Udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të zgjidhin një ngërç mbi hapjen e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut sapo Bullgaria të zgjidhë krizën politike”, tha i dërguari special i bllokut në Ballkanin Perëndimor.

Miroslav Lajçak tha se fillimi i negociatave me Tiranën dhe Shkupin po mbahet peng nga Bullgaria, por kjo mbetet një “përparësi” për udhëheqësit e BE -së që duhet ta kalojnë këtë pengesë.

“Ne duhet të kapërcejmë këtë pengesë të fundit me Bullgarinë,” tha Lajçak të hënën në një konferencë. “Ne do ta zgjidhim këtë pengesë sapo ta lejojë situata politike në Bullgari, ose sapo të ketë një parti politike atje me një mandat të qartë për të drejtuar vendin.”

Kundërshtimi i Bullgarisë po kthehet në një pengesë edhe për Slloveninë, e cila kishte premtuar rezultate konkrete. Megjithatë, këto rezultate duket se nuk do të arrihen gjatë presidencës sllovene të Këshillit të BE-së, e cila përfundon në fund të dhjetorit.

Kryeministri Zoran Zaev ka pranuar se nuk ka shpresë për përparimin e këtij procesi gjatë muajve të ardhshëm, duke deklaruar së fundmi se Maqedonia e Veriut do të duhet të presë deri në dhjetor për të parë të marrë një datë për nisjen e bisedimeve me BE-në.

Duke folur pas takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të BE-së në Bled të Slovenisë, ai tha se shpresat për hapjen e negociatave brenda këtij viti do të varen nga zgjedhjet në Bullgari.

 “14 nëntori është paralajmëruar data për zgjedhjet e treta parlamentare në Bullgari. Duke pasur parasysh afatet e tyre kohore, 15 ditë do të duhen për krijimin e qeverisë. Dritarja më e afër për në është në fund të dhjetorit, kur do të mbahet Këshilli i Ministrave të Europës dhe kur deri atëherë Bullgaria pritet të ketë një qeveri të re. Po paralajmëroj të presim deri në dhjetor, sepse nuk është logjike që të rrisim shpresat për shtator, tetor ose nëntor”, tha Zaev.

Gjatë kësaj periudhe Zaev tha se nuk duhet të ndërmarrin veprime shtesë për bisedime me Bullgarinë,  pasi sipas tij, qeveria e tij ka ndërmarrë dhe realizuar gjithçka që i është kërkuar, duke përpiluar edhe Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë