Analize

Kriza nga Afganistani, Shqipëria mund të përballet me fluks refugjatësh pas aktivizimit të rrugës ballkanike

Marrja e Afganistanit nga talebanët ka ngjallur frikën për një eksod të refugjatëve nga Afganistani dhe një përsëritje të krizës së vitit 2015, kur më shumë se një milion njerëz nga Lindja e Mesme u nisën drejt unionit të dëshpëruar për t’i shpëtuar luftës.

Megjithatë, shumë gjëra kanë ndryshuar që atëherë, përfshirë edhe rrugën që ndjekin refugjatët për të hyrë në BE. Nëse emigrantët kishin dikur portë kryesore hyrëse Greqinë apo Italinë, tanimë rruga për në Europë kalon nga Ballkani Perëndimor. Në rast të përsëritjes së krizës së refugjatëve, rajoni dhe vendi ynë do të ishin në qendër të kësaj krize, edhe pse pjesa më e madhe tyre e përdorin Shqipërinë si vend tranzit dhe jo për të qëndruar.

Mijëra afganë tashmë janë larguar ose po përpiqen dëshpërimisht të hipin në avionë duke u larguar nga Kabuli, nga frika e sundimit të talebanëve. Por flukset e mëdha të emigrantëve afganë janë strehuar tanimë në vende fqinje me Afaganistanin, si Pakistani dhe Irani.

Mbi 2.2 milion refugjatë gjenden tashmë në vendet fqinje, pjesa më e madhe e të cilave janë gati të nisen për një jetë më të mirë drejt vendeve perëndimore,

“Shumica dërrmuese e afganëve nuk janë në gjendje të largohen nga vendi përmes kanaleve të rregullta,” tha të premten një zëdhënës i Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR). ” Megjithatë, mijë refugjatë kanë arritur të gjejnë një rrugëdalje nga vendi nëpëmjet kufijve tokësore”.

kan

Një pjesë kishin kaluar në Pakistan jo shumë kohë pasi talebanët morën kontrollin e Kabulit, ndërsa rreth 1.500 afganë thuhet se kanë hyrë në Uzbekistan dhe po jetojnë në tenda pranë kufirit.

Vendet fqinje Pakistani dhe Irani panë numrin më të madh të refugjatëve dhe azilkërkuesve të Afganistanit vitin e kaluar. Pothuajse 1.5 milionë afganë ikën në Pakistan në vitin 2020, ndërsa Irani priti 780,000 emigrantë, sipas shifrave të UNHCR. Por deri më tani, as Pakistani dhe as Irani nuk kanë rënë dakord t’i përbajnë flukset e emigrantëve brenda vendeve të tyre. Këto shifra tronditëse kanë alarmuar Europëm, mes frikës se pjesa më e madhe e tyre do të nisen drejt unionit.

Shqipëria, rrugë kryesore

Forcat kufitare të Greqisë janë në gatishmëri për të shmangur përsëritjen e mbërritjeve masive të emigrantëve sirianë përmes Turqisë. Të  dyja këto vende kanë ndërtuar mure të gjata në kufijtë e tyre. Që nga kriza e fundit, BE -ja ka forcuar agjencinë e saj kufitare, Frontex, e cila është e vendosur edhe në kufirin midis Shqipërisë dhe Greqisë.

Kjo nuk është rastësi, pasi rruga më e lehtë e tranzitit në Europë kalon pikërisht aty.

E njohur ndryshe si rrugës ballkanike, kalimi nga Greqia, në Maqedoninë e Veriut ose Shqipëri, për të vazhduar më pas në Kroaci, Slloveni dhe vende të tjera të BE-së, është bërë tanimë hyrja kryesore e emigrantëve për në Europë. Kjo rrugë filloi të përdorej pasi rruga Turqi-Bullgari-Rumani-Hungari u mbyll. 

Dhjetëra emigrantë sirianë dhe irakianë ndalohen praktikisht çdo ditë nga policia kufitare shqiptare dhe nga Frontex. Por pavarësisht kësaj, dhjetëra refugjatë arrijnë të kalojnë kufirin, duke u ndalur në fshatrat shqiptare në kërkim të ushqimit dhe rrobave.

Kufiri shqiptar është vetëm një orë larg nga Janina, prandaj të gjithë emigrantët që duan të udhëtojnë nga Greqia për në Ballkan, e fillojnë rrugëtimin e tyre nga aty. Zakonisht emigrantët hyjnë në këmbë nga kufiri grek dhe nëse kapen nga rojet kufitare shqiptare dërgohen me autobus drejt Tiranës, ku pushojnë për disa ditë në qendrën e strehimit të refugjatëve në Babrru dhe se pastaj vazhdojnë udhëtimin drejt Bosnjës apo Malit të Zi. Nëse policia zbulon emigrantë në zonën kufitare, i dërgon mbrpash në kufirin grek, por nëse i gjen brenda territorit, i dërgon në qendrën e azilkërkuesve në rrethinat e Tiranës. Gjendja shëndetësore e emigrantëve shpesh është problematike pasi një pjesë e tyre janë bartës të disa sëmundjeve.

Për momentin, pjesa më e madhe e të ndaluarve në Shqipëri deklarojnë se janë nga Siria, të ndjekur nga shtetësi të tjera si Pakistani, Iraku, Algjeria, Libia, Maroku, Palestina dhe Afganistani. Sikurse vihet re nga statistikat, ka një trend të rritje të emigrantëve të parregullt që zgjedhin Shqipërinë si rrugë tranzite në Ballkan, edhe pse jo si destinacionin përfundimtar. Shumë detyrohen t’u drejtohen trafikantëve dhe rrjeteve kriminale për të shmangur ndalimet përgjatë kalimit të paligjshëm të kufijve, shpesh edhe për shkak të pamundësive për të gjetur rrugë më të sigurta për emigrim.

Flukset masive të emigrantëve të parregullt rrisin gjithashtu rrezikun që  grupet më vulnerabël të bien pre e abuzimeve të formave të ndryshme, pa përjashtuar edhe trafikimin apo shfrytëzimin seksual.

Duke përfituar nga asistenca e FRONTEX, Shqipëria ka marrë masa për një menaxhim më të mirë të kufijve në bashkëpunim edhe me organizata të tjera të specializuara ndërkombëtare. Megjithatë, vendi ynë thuajse i papërgatitur për krizën që mund të vijë nga Afganistani

Rreziku i radhëve të refugjatëve në rajon u ngrit edhe nga ministrja e brendshme italiane Luciana Lamorgese, e cila paralajmëroi se fundmi për fluks emigrantësh si nga deti ashtu edhe përgjatë rrugës Ballkanike. “Ka të ngjarë që edhe më shumë afganë do të përpiqen të largohen nga vendi për të arritur në tokën europiane. Ende nuk ka shifra të sakta për numrin e afganëve që kanë ikur nga vendi poe burimet tregojnë se dhjetëra mijëra njerëz  kanë kaluar kufijtë ndërkombëtarë javët e fundit. Ata që po qendrojnë në kampe refugjatësh në Iran, Pakistan dhe Turqi, ka të ngjarë të braktisin idenë e kthimit n në Afganistan, duke preferuar udhëtimin drejt BE –së”, deklaroi ministrja të premten.

Mënyra “më e thjeshtë” sipas saj, është kalimi nga Turqia, në Greqi, Shqipëri, vende të tjera të Ballkanit, për të shkuar drejt Italisë, Austrisë ose Gjermanisë.

UNCR vlerëson se për momentin 400,000 afganë ndodhet në Turqi.  Edhe pse  Turqia ka ndërtuar një mur kufitar me Iranin, ekspertët parashikojnë se ajo do ta ketë të vështirë të përmbajë valën e emigrantëve.

Burimet: Reuters, Politico.Eu, Italia24. Përgatiti Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë