Jete & Stil

Njerëzit po mendojnë më pak për punën e karrierën, më shumë për jetën e shëndetin

Pandemia ka bërë që njerëzit të mendojnë më shumë se kurrë më parë për shëndetin, jetën, argëtimin e familjen e tyre dhe më pak për karrierën.

Ky është rezultati i një sondazhi të zhvilluar nga agjencia britanike e sigurimeve, Aviva që u shërben rreth 33 milionë klientëve të saj në 16 vende të botës, por kryesisht në Europë.

Sipas studimit të kësaj kompanie, 47 për qind e personave të punësuar janë më pak të përqëndruar te puna dhe karriera e tyre për shkak të pandemisë. Ata janë më shumë të gatshëm e përqëndruar te shëndeti dhe argëtimi e koha e lirë me familjarët, të afërmit, apo miqtë.

Vetëm dy në pesë persona të anketuar kanë deklaruar se nuk e mendojnë kurrë shkëputjen nga puna, ndërsa tre të tjerët e shohin si e mendojnë si shkëputjen, qoftë të përkohshme, qoftë të përhershme, si një mundësi për t’u larguar nga stresi i shtuar.

Kompania e sigurimeve thotë se ka rezultati i kësaj ankete nxjerr në pah edhe frikën në rritje të një pjese të punonjësve për humbjen e vendit të tyre të punës, nisur nga situata e shkaktuar nga pandemia.

Gjysma e të pyeturve u ankuan se kufiri mes punës dhe pushimit në shtëpi ishte zbehur dhe zhdukur fare në disa raste dhe ky fenomen ka prekur më shumë femrat. 46 për qind e tyre ndjeheshin më shumë të shqetësuara dhe stresuara nga ky fenomen në krahasim me 35 për qind të punonjësve meshkuj.

24 për qind e femrave thanë se pandemia kishte një ndikim negativ në balancën e tyre mes punës dhe jetën jashtë pune, ndërsa vetëm 16 për qind e meshkujve e pohonin këtë.

Debbie Byllock, specialiste e kompanisë Aviva tha për BBC se pandemia dhe izolimi i ka bërë njerëzit që të reflektojnë mbi peshën e punës dhe karrierës në jetën e tyre, ndërsa epoka e teknologjisë digjitale e ka bërë edhe më të vështirë për disa që të shkëputen nga puna.

“Pandemia ishte një përvojë e përbashkët, por ndikimi i saj ka qenë i copëzuar në shumë mënyrë, me femrat sidomos që po përballen me stres akut nga zhdukja e kufirit mes punës dhe kohës së pushimit në shtëpi”, tha ajo.

Në studim u pyetën mbi 2 mijë persona të punësuar në kompanitë e mëdha. Nga anketa vetëm 14 për qind ishin pro rikthimit në zyra dhe vetëm 15 për qind thanë se do të pëlqenin që të punonin nga shtëpia përgjatë të gjithë javës.

Kompania britanike këshillon që punëdhënësit të shqyrtojnë me kujdes se si do të rikthejnë stafet e tyre në zyra, për të shmangur thellimin e mëtejshëm të ndasisë gjinore. Ajo paralajmëron se sidomos gratë kryefamiljare që përkujdesen edhe për fëmijët e tyre janë nën presion të vazhdueshëm dhe stres më të madh.

Për të luftuar stresin dhe mbingarkesën në punë edhe për shkak të pandemisë, muajin e kaluar kompania e njohjeve të reja, Bumble mbylli të gjitha zyrat dhe i dha 1 javë pushim të paguar 700 personave të stafit në mbarë botën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë