Në vitin 2019 Tim Cook, atëherë shefi i Apple, dha një intervistë në të cilën ai tha se “nëse mendoni për të ardhmen dhe thoni se cili do të jetë kontributi më i madh i Apple për njerëzimin, dijeni se do të jetë për shëndetin”.
Tingëllon si një marketing i drejtorëve në përgjithësi, por për gati një vit më vonë kjo konstatohet lehtësisht tek IPhone XX.
Kjo pajisje duket më shumë si një qendër e të dhënave personale mjekësore se sa një telefon. Disa nga veçoritë e tij janë azhurnimi i funksioneve ekzistuese, të tilla si gjurmimi i gjumit, menstruacioneve, monitorimi i ecjes dhe qasja pa probleme në regjistrat shëndetësorë dhe dokumentet e tjera personale. Fizikisht, vetë pajisja duket shumë e njëjtë, pak ka ndryshuar në lidhje me vizualitetin gjatë këtyre 15 viteve të fundit. Për shumë vite qasja e kompanisë për ndjekjen e shëndetit është përqendruar në Apple Watch. Edhe modeli origjinal, i lançuar në 2015, mund të masë lëvizjen dhe rrahjet e zemrës. Që nga ajo kohë, sensorë janë shtuar për të matur aktivitetin e zemrës, presionin e gjakut, temperaturën e trupit dhe nivelet e oksigjenit, sheqerit dhe alkoolit në gjak. Përveç kësaj, ndryshimet e softuerëve i kanë dhënë asaj aftësinë për të dalluar temperaturën, rënien në peshë, ritme të çrregullta të zemrës dhe shenjat e hershme të demencias.
Por jo të gjithë e duan (ose mund të përballojnë) të blejnë një orë me të gjitha këto karakteristika. Ndërkohë, tregu me pajisje të tilla është zhvilluar. Me gamën e saj të re të aksesorëve shtesë Apple ka zgjeruar gamën e produkteve të tilla.
Një pajisje prej 49 dollarësh për njerëzit me diabet, për shembull, ofron monitorim të sheqerit në gjak, ndërsa një pajisje prej 69 dollarësh për ata probleme të frymëmarrjes përfshin një oksimetër dhe një spirometër. E kjo ju sjell lehtësi njerëzve. Sensorët e tjerë përqendrohen në monitorimin e gjumit, hipertensionit, sëmundjes celiake dhe pjellorisë. Krahas këtyre pajisjeve, Apple zbuloi një sërë shërbimesh shtesë.

Paketa e diabetit, për shembull, përfshin një aplikacion të mrekullueshëm që tregon indeksin glikemik dhe përmbajtjen ushqyese dhe kalorifike të çdo ushqimi në të cilin ju drejtoni kamerën e iPhone tuaj. Pas dy javësh mësimi për dietën tuaj, aplikacioni fillon të sugjerojë edhe programe ushqyerje. Sipas ekspertëve të teknologjisë sa më shumë njerëz të ecin me pajisje që monitorojnë vazhdimisht shenjat e tyre jetësore, aq më shumë ka të ngjarë që sëmundjet të kapen. Megjithatë, ka shqetësime të mëdha gjithashtu. E para është privatësia. Apple e shet iPhone-in si një depo të sigurt për të dhënat personale të të gjitha. Ai gjithashtu u lejon përdoruesve të ndajnë të dhëna me specialistë mjekësorë dhe të marrin pjesë në provat e miratuara nga komiteti i tij i etikës gjysmë-autonome. Por aktivistët e privatësisë thonë se rregullat e Apple janë të paqarta dhe konfuze. Shqetësimi i dytë është drejtësia. Shumica e njerëzve nuk mund të blejnë një iPhone. Pajisjet e Apple do të përfitojnë kryesisht nga ata që tashmë kanë qasje në diagnostikim të mirë dhe mjekë. Megjithatë, ka edhe arsye për optimizëm. Kur Apple lançoi iPhone në 2007, u duk e pamundur që pak më shumë se një dekadë më vonë, gjysma e popullsisë së botës do të kishte një smartphone. Nëse dy dekadat e kaluara janë ndonjë udhëzues, kompanitë e tjera (të tilla si Samsung dhe Google) do të kopjojnë idetë e Apple duke nxitur një shpërthim të konkurrencës, inovacionit dhe adoptimit masiv në monitorimin dhe diagnostikimin e shëndetit, siç ndodhi më parë në aparate. Kjo mund të jetë kontributi i vërtetë që Apple i jep njerëzimit, madje edhe më shumë sesa ajo që bën me pajisjet e veta.
Burimi:The Economist/ Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




