Një studim për dietën, stilin e jetës dhe shëndetin ka zbuluar se duke iu përmbajtur udhëzimeve specifike, gratë mund të zvogëlojnë më shumë se një të tretën e incidencës së simptomave të refluksit gastroezofageal, quajtur ndryshe GERD. GERD është një sëmundje që ndodh kur acidi në stomak kalon në ezofag dhe kjo irriton ezofagun.
Gjetjet nga ‘Studimi i shëndetit të infermierëve’, një nga studimet më afatgjata të shëndetit të grave, tregojnë se dieta dhe faktorë të jetesës, duke përfshirë ushtrime të rregullta, mund të kenë një ndikim të rëndësishëm në GERD.
Simptoma kryesore është urthi dhe shpesh menaxhohet me ilaçe. Ky studim i ri sugjeron, megjithatë, që ndjekja e udhëzimeve për dietën dhe mënyrën e jetesës mund të zvogëlojë ndjeshëm simptomat dhe mund të bëjë ilaçet të panevojshme për disa pacientë.
Pesë faktorët përfshijnë peshë normale, mospirjen e duhanit, aktivitet fizik të moderuar për të paktën 30 minuta në ditë, kufizimin e kafesë, çajit dhe pijeve në dy filxhanë çdo ditë dhe një dietë “të kujdesshme”.
“Ky studim ofron prova se simptomat e zakonshme dhe dobësuese gastrointestinale mund të kontrollohen mirë në shumë raste vetëm me dietë dhe modifikime të mënyrës së jetesës”, thotë Andrew Chan, gastroenterolog dhe pedagog i mjekësisë në Harvard.
Duke qenë se ka efekte afatgjata shëndetësore të GERD dhe shqetësime të vazhdueshme në lidhje me efektet anësore të ilaçeve të përdorura për ta trajtuar atë, stili i jetës duhet të konsiderohet si opsioni më i mirë për kontrollimin e simptomave.
‘Studimi i shëndetit i infermierëve’ është një studim ndërkombëtar i themeluar në 1989, pjesëmarrësit e të cilit bëjnë një studim të detajuar dy herë në vit. Ky studim përfshiu të dhëna nga pothuajse 43,000 gra të moshës 42 deri 62 vjeç të cilat u morën në pyetje në lidhje me GERD ose simptomat e urthit nga 2005 në 2017.
Studiuesit krijuan një model statistikor që i lejoi ata të llogaritnin “rrezikun e atribuueshëm të popullatës” për simptomat e GERD të shoqëruara me secilin nga pesë faktorët e jetesës. Me fjalë të tjera, ata vlerësuan se sa e mundshme ishte që çdo faktor jetese të ulte rrezikun të përjetimit të simptomave dhe zbuluan se ndjekja e të gjitha këtyre udhëzimeve mund të zvogëlojë simptomat e GERD në përgjithësi me 37%.
Sa më shumë udhëzime specifike që ndiqte një grua, aq më i ulët është rreziku i shfaqjes së simptomave. Në mesin e grave që përdorin trajtime të zakonshme të urthit, respektimi i udhëzimeve gjithashtu uli simptomat.
“Ne ishim veçanërisht të interesuar për efektivitetin e aktivitetit fizik”, thotë Chan.
Ky është një nga studimet e para që ka demonstruar efektivitetin e tij në kontrollimin e GERD. Ky efekt, sugjeron Chan, mund të jetë pjesërisht për shkak të efektit të ushtrimit në lëvizjen e traktit tretës.
“Të qenit aktiv fizikisht mund të ndihmojë në pastrimin e acidit të stomakut që shkakton simptoma të urthit”, thotë ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



