Jete & Stil

A ndikon emri në fatin tuaj? Disa komunitete besojnë se po…

Një pasdite në prill, frika më e madhe e Mandy Pang u bë e vërtetë. Ajo u thirr nga shefi i saj i cili i tha se do të shkurtojë personel dhe për këtë do ta heqë nga puna.

E zemëruar dhe e lënduar, 29-vjeçarja u mbyll në dhomë dhe filloi të mendojë për të gjitha herët që nuk i ka ecur dhe gjithë fatin e keq që duket sikur po e ndjek.

Një muaj më vonë, ende duke kërkuar punë, Pang mendoi që ajo e dinte se çfarë duhej të bënte: të ndryshonte emrin e saj ligjor në një përpjekje për ‘të shkundur’ fatin e keq dhe për të përmirësuar perspektivat e saj në të ardhmen.

“Shoqja e nënës sime më tha se emri i ri mund të më ndihmojë të kem një jetë tjetër”, tregon ajo.

Në kulturën tradicionale kineze, kuptimi pas emrave ka patur gjithmonë një rëndësi të madhe. Komunitetet kineze në të gjithë Azinë Lindore besojnë se një emër mund të ndikojë në fatin e dikujt në çdo aspekt të jetës së tij, nga shëndeti dhe romanca te financat dhe performanca akademike. Ndërsa pandemia vazhdon të godasë rëndë ekonominë, njerëz si Pang që e gjejnë veten pa punë jo vetëm që po ‘lustrojnë’ CV-të e tyre, por gjithashtu po drejtohen te fallxhorët për këshilla nëse një emër i ri mund të ndryshojë të ardhmen e tyre.

“Kinezët besojnë se ekzistojnë 10 gjëra që vendosin fatin e tyre”, thotë Lee Shing-chak, një nga praktikuesit më të njohur të feng shui në Hong Kong. “Përveç kohës së lindjes ose bërjes së veprimeve të mira, besohet se emri i tij është një nga faktorët që ndikon.”

Nën këtë besim të lashtë në rrjedhën e energjisë dhe ekuilibrin, një foshnje I vendoset një emër pas një analize të kujdesshme të kohës së saktë të lindjes dhe cili nga elementët themelorë të karaktereve kineze (zjarri, druri, uji, metali dhe toka) përkojnë në kalendarin astrologjik . Si dhe të tingëllojë bukur, emri duhet të ‘balancojë’ elementet, për të ndihmuar në përmirësimin e fatit të dikujt.

Pra, teoria është që nëse gjërat po shkojnë keq më vonë në jetë, ju mund të futni një element të ri për të riparuar disa nga çekuilibri që po ju shkakton fat të keq.

Chin Foukin, nga Guangdong, Kinë, ishte rreth katër vjeç kur i kishte shtuar një karakter elementi metali. Ai ishte prekur nga një sëmundje të frymëmarrjes për muaj me radhë dhe nuk ishte shëruar pavarësisht se kishte parë disa mjekë. Nëna e tij ndryshoi emrin e tij për të kompensuar mungesën e një elementi metali në feng shui-n e tij, me shpresën se ai mund të shërohej duke ribalancuar elementet.

“Sëmundja ime ishte zhdukur në mënyrë misterioze pas kësaj dhe nëna ime besonte se ndryshimi i emrit tim ishte një nga arsyet për shërimin tim,” thotë punëtori 24-vjeçar tashmë. Sidoqoftë, ai është më skeptik nëse ndryshimi i emrit të tij ishte me të vërtetë ilaçi i tij. “Supozimi im ishte që sistemi im imunitar ishte më mirë kur u rrita”.

Megjithëse nuk ka asnjë provë shkencore që këto bestytni kanë ndonjë efekt të vërtetë, ndryshimet e emrit mund të kenë një efekt të fuqishëm, sipas Zhang Yan, profesor i marketingut në Universitetin Kombëtar të Singaporit. Ai ka bërë një hulumtim të gjerë mbi psikologjinë që qëndron pas bestytnive.

Zhang thotë se njerëzit dëshirojnë një ndjenjë kontrolli, veçanërisht gjatë kohës së pasigurisë. Ndryshimi i emrave mund t’u japë njerëzve një ndjenjë kontrolli që ata duan, sikur të mund të ndryshonin rrjedhën e ngjarjeve për sa kohë që ata mund të ndryshojnë emrin. Kjo nuk do të ndihmonte në mënyrë objektive, por nëse marrim parasysh se një ndjenjë e tillë kontrolli mund të lehtësojë ankthin, është e mundur që ky akt mund të kontribuojë pozitivisht në evoluimin e mëvonshëm të ngjarjeve, pasi njerëzit mund të veprojnë më me vetëbesim.

Në Hong Kong, familja e Laura Yip janë të bindur se 23-vjeçarja ndryshoi pasi ndoqi këshillën e tyre për të ndryshuar emrin në moshën 18-vjeçare.

“E gjithë familja ime beson në feng shui, dhe unë gjithashtu. Xhaxhai im tha që është më lehtë për mua të martohem nëse ndryshoj emrin, ndërsa nëna ime donte që unë të kisha fat më të mire ndërsa rritem.” thotë ajo.

Yip, emri kinez i së cilës ishte Yip On Yu, i dha detajet e ditëlindjes së saj një fallxhori, i cili i ofroi asaj emrin e ri pasi “u këshillua me perënditë”. Emri i ri, Yip Shun Yan, që ajo thotë se i pëlqen shumë, ka për qëllim të ribalancojë elementet në jetën e saj dhe të ndihmojë me fatin e saj në marrëdhëniet personale.

I gjithë procesi nuk ishte i lirë, duke i kushtuar asaj rreth 15,000 HK (1930 $) por ajo beson se ia vlejti.

“Unë isha shumë e ashpër dhe e mbyllur kur isha e re. Pasi ndryshova emrin u bëra më miqësore. Nuk mund të jem e sigurt se emri i ri ishte arsyeja, por u bëra më e shoqërueshme dhe e sjellshme fill mbasi ndryshova emrin.” thotë ajo.

Yip thotë se nëna e saj e thotë emrin e saj të paktën dy herë në mëngjes, për ta bërë atë të funksionojë më mirë.

“Praktikanti më tha se është më efektive nëse njerëzit e thërrasin emrin e ri më shpesh, kështu që unë u kërkova miqve të mi të më thërrisnin me emrin tim të ri.”

Dëshmitë ‘anekdotale’ sugjerojnë që kjo prirje e ndryshimit të emrit ndodh gjatë kohërave të pasigurisë në pjesë të tjera të Azisë Lindore ku praktikohen traditat kineze. Për shembull, raportet tregojnë se gati 150,000 Koreano Jugorë aplikuan për të ndryshuar emrat e tyre në 2016 kur vendi regjistroi një normë të lartë të papunësisë.

Këtë vit, ekonomia globale ka përjetuar një rënie të madhe, me shumë vende që dëshmojnë nivele të larta të papunësisë. Në shtator, Hong Kong regjistroi shkallën më të lartë të papunësisë sezonale në gati 16 vjet. Ky ndikim pandemik vjen në krye të një periudhe të paqëndrueshmërisë politike intensive.

Sipas të dhënave të qeverisë, numri i aplikimeve për ndryshimin e emrit është rritur çdo vit gjatë pesë viteve të fundit. Në nëntë muajt e parë të vitit 2020, 1252 njerëz aplikuan për të ndryshuar emrin e tyre në Hong Kong dhe 1600 bënë të njëjtën gjë në 2019, megjithëse nuk ka statistika zyrtare se sa e bënë këtë vetëm për të përmirësuar fatin e tyre.

Por Mak Ling-ling, një tjetër praktikuese e njohur e feng shui në Hong Kong, thotë se kërkesa për këshillat e saj për riemërtim ka qenë e lartë vitet e fundit dhe se midis të rriturve “rreth 60 deri në 70% erdhën tek unë për të hequr qafe fatin e tyre të keq ”.

Ajo thotë se një emër i ri mund të ndihmojë në “rregullimin e aurës” pas ndryshimeve të mëdha të jetës si humbja e një pune.

“Emri i dikujt është i ngjashëm me rrobat e dikujt – përfaqëson personalitetin dhe ndoshta klasën e dikujt. Sidomos në Kinë, shumë duan që emrat e tyre të tingëllojnë më modernë dhe më pak të zakonshëm, në mënyrë që të dallohen në turmë kur kërkojnë punë “. thotë Mak.

Por Mak paralajmëron se njerëzit që ndryshojnë emrat e tyre duke kërkuar të ndryshojnë tërësisht tiparet e personalitetit të dikujt ose të arrijnë një qëllim të caktuar ka të ngjarë që nuk do të marrin atë që duan.

“Disa prindër duan të ndryshojnë emrat e pasardhësve të tyre, kështu që ata të arrijnë të jenë të parët në shkollë. Kjo është e pamundur. Ndryshimi i emrit të dikujt mund të ndihmojë në sjelljen e fatit në një drejtim të ri, por sigurisht që nuk shkon larg dhe përtej aftësive themelore të dikujt ”.

Pang ka dyshime nëse emri i saj i ri i ka ndryshuar gjërat për të, pasi fati i saj në karrierë nuk është përmirësuar deri më tani. Ndërkohë, Zhang paralajmëron punëkërkuesit e Hong Kongut se ata nuk duhet të mbështeten shumë në një emër të ri për të përmirësuar perspektivat e tyre. “Nuk dëmton të ndryshosh emra, por duhet të kujtojmë se ky është vetëm një veprim bestytni që nuk do të ndryshonte shansin. Ju ende duhet të punoni shumë për t’i bërë gjërat më mirë.”

Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë