Qindra protestues u mblodhën para Ministrisë së Brendshme dhe më pas për gati 2 orë para Kryeministrisë për të kërkuar dorëheqjen e ministrit Sandër Lleshaj, pas vrasjes së 25-vjeçarit, Klodian Rasha nga ana e policisë.
Me thirrjet për largimin e Lleshajt, protestuesit nisën të qëllojnë me shishe, gurë dhe hurma godinën e Ministrisë së Brendshme. Hurmat u zgjodhën, pasi sipas familjarëve të Klodian Rashës, ishin të vetmet gjëra që i riu kishte në dorë në momentin e vrasjes në orët e para të mëngjesit të së martës.
Protesta u përshkallëzua në disa momente tensioni dhe përplasjeje mes qytetarëve dhe forcave të policisë. Pas Ministrisë së Brendshme, protesta u zhvendos përballë godinës së Kryeministrisë. As këtu tensionet nuk munguan, ku protestuesit i vunë flakën pemës dekorative të vendosur me rastin e festave para godinës së Qeverisë.
15 policë të lënduar nga protestat para Ministrisë së Brendshme dhe Kryeministrisë, ndërsa protestuesit u shpërndanë rreth orës 19.30, pasi policia hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën që tentoi të hyjnë në godinën e kryeministrisë.
Nuk kanë shpëtuar as makinat e policisë, pasi protestuesit kanë thyer xhamat e dy prej tyre. Pas largimit nga Kryeministria një pjesë e protestuesve janë rikthyer sërish te Ministria e Brendshme, ku protestuesit kanë nisur të thyejnë çdo xham dhe objekt tjetër rreth saj, sid eh sulmuan godinën e Bashkisë.
Protestuesit janë zhvendosur në shesh, ku kanë prishur zbukurimet për festat e Vitit të ri. Pas pemës te Kryeministria, protestuesit kanë prishur edhe pemën në shesh. Protesta zhvendoset te Drejtoria e Policisë, me protestuesit që u shpërndanë në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Protestuesit kanë bllokuar rrugën “Myslym Shyri” dhe kanë vendosur koshat e plehrave në fillim të saj. Protestuesit e revoltuar u kanë vënë flakën plehrave dhe koshave të mbeturinave.
Klodian Rasha u qëllua për vdekje nga një efektiv policie në orët e para të së martës në zonën e Laprakës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00. Policia doli fillimisht me një njoftim ku tha se efektivët kishin qëlluar në drejtim të tij pasi nuk i ishte përgjigjur thirrjes për të ndaluar. Po ashtu, policia tha se i riu kishte në dorë një “send të fortë”, të cilin efektivët e kanë ngatërruar me armë, për shkak të mungesës së ndriçimit.
Ndërkohë, në një deklaratë të dytë, Policia e Shtetit deklaroi se kishte gjetur në vendin e ngjarjes një armë zjarri, që dyshonte se e kishte pasur viktima. Megjithatë, efektivi i policisë që qëlloi ndaj 25-vjeçarit u arrestua nga ana e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, ndërsa ministri Sandër Lleshaj kërkoi që drejtësia të zbardhë të vërtetën edhe si ngushëllim për familjarët e të riut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.