Kroacia bllokon sërish prodhimet bujqësore shqiptare.
Këtë herë, autoritetet kroate kanë ndaluar dy ngarkesa, një me fiq të thatë dhe një tjetër me speca, pasi analizat laboratorike kanë zbuluar prani të lartë të aflatoksinave dhe pesticideve, mbi kufijtë e lejuar.
Sipas të dhënave të publikuara më 26 tetor në Sistemin Evropian të Alarmit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshët, RASFF, fiku i thatë me origjinë nga Shqipëria ka rezultuar me përmbajtje aflatoksinash 375% mbi normën e lejuar.
Konkretisht, kufiri maksimal i lejuar për aflatoksinat totale në fiqtë e thatë është 10 mikrogramë për kilogram, ndërsa analizat laboratorike kanë zbuluar një përqendrim prej 47,5 mikrogramësh për kilogram.
Në të njëjtën ngarkesë është konstatuar edhe prania e aflatoksinës B1, një nga toksinat më të rrezikshme që prodhohen nga myku, e njohur për vetitë e saj kancerogjene, veçanërisht për rrezikun e kancerit të mëlçisë.
Kontrollet e sigurisë ushqimore në Kroaci kanë zbuluar probleme edhe te perimet shqiptare. Një tjetër ngarkesë me speca të kuq është bllokuar pasi analizat kanë evidentuar mbetje të pesticidit chlorfenapyr, një substancë që përdoret për luftimin e insekteve dhe dëmtuesve të bimëve.
Sipas të dhënave të RASFF-it, prania e këtij pesticidi ka rezultuar 420% mbi kufirin maksimal të lejuar.
Konkretisht, kufiri i lejuar është 0,01 miligramë për kilogram, ndërsa analizat kanë zbuluar një përqendrim prej 0,052 miligramësh për kilogram.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



