Ngjarje

Policia: Ekstremistë të dhunshëm plagosën 9 policë. Një efektiv rrezikon të humbë syrin

Policia e Shtetit thotë se 9 punonjës të saj janë plagosur në mbrojtje të institucioneve shtetërore nga protestues, që i cilëson “ekstremistë të dhunshëm”.

“Tubimi u përshkallëzua në veprime të dhunshme, duke thyer xhamat e Ministrisë së Brendshme dhe duke plagosur disa punonjës policie që ishin në shërbim, në ruajtje të institucionit. Ekstremistë të dhunshëm kanë hedhur sende të forta, gurë, pllaka, kapsolla e sende të tjera, duke plagosur 9 punonjës policie dhe duke shkaktuar dëme të mëdha materiale në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në Sheshin Skënderbej”, thuhet në deklaratën e policisë.

Policia thotë se 3 efektivë janë në gjendje të rëndë në spital, pasi kanë dëmtime serioze në kokë dhe trup të shkaktuara nga sendet e forta të hedhura nga protestuesit.

“Policia e Shtetit bëri të gjitha përpjekjet për menaxhimin me shumë përmbajtje të dhunës së papritur dhe të padrejtë ndaj punonjësve të saj dhe ndaj institucioneve. Policia e Shtetit apelon për të gjithë protestuesit që të mos ushtrojnë dhunë ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve, pasi cilido do të përballet me pasojat ligjore”, thuhet më tej në deklaratë.

Policia e Shtetit u bën thirrje organizatorëve, të cilët kanë thirrur protestën përmes rrjeteve sociale për t’u grumbulluar në protestë, të marrin masa të menjëhershme për të ndaluar thirrjet për dhunë, pasi dhuna do të përballet me përgjigjen ligjore të Policisë së Shtetit.

“Episodi i papranueshëm i vrasjes së një qytetari nga një punonjes policie, i cili po hetohet në gjendje arresti, nuk mund të përdoret si pretekst për të ushtruar dhunë të verbër, për të plagosur rëndë punonjësit e Policisë së Shtetit dhe shkatërruar pronën publike dhe private”, mbyllet deklarata.

Ministria e Shëndetësisë: 8 policë dhe 2 protestues të plagosur

Ministria e Shëndetësisë informoi se urgjenca ka transportuar në spitale 10 të lënduar në protestën e dhunshme të zhvilluar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Tetë punonjës të policisë dhe dy protestues janë duke u trajtuar në spitalet universitare të Tiranës, ku njëri prej punonjësve të rendit ka dëmtime më serioze. Në Spitalin e Traumës po trajtohen aktualisht 7 punonjës të policisë dhe dy protestues në gjendje te stabilizuar.

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” po trajtohet një punonjës i policisë, gjendja e të cilit, sipas mjekëve është serioze, pasi rrezikon humbjen e njërit sy dhe pritet t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë