Lajme

Artan Imami – Dy “97”-at e Don Zhuanit dhe një kërkesë për ministren e Kulturës

Ishte sërish pranverë, kur Artan Imami iu kthye një projekti të largët, por jo të harruar të tij. Do të rikthente “Don Zhuanin” e Molierit në Teatrin Kombëtar, që tanimë shfaqjet e i luante në “ArTurbina”, që 24 vjet më parë ia kish ndërprerë dhunshëm trazira e madhe që kaploi një vend, ku falimentin e mrekullive efemere të firmave piramidale e pasoi tërbimi i kallashnikovëve që lanë depot e armatimeve në duar gjithfarë. Nuk qe kohë për teatër ajo kohë lufte dhe Imami i la petkat e Don Zhuanit mënjanë...Për t’i nxjerrë në fillim të 2020-s, si regjisor, skenograf dhe padyshim si protagonisti i komedisë tragjike të mjeshtrit të madh francez.

Më 6  mars ishte mbrëmja premierë që ngjiste gjithashtu në skenë edhe aktoren Luiza Xhuvani, pak muaj pas humbjes së të shoqit, në rolin e Dona Elvirës dhe Imamin entuziast që jo vetëm po sillte një shfaqje të mbetur në gjysmë për shkaqe përtej tij dhe teatrit, porse ajo mbetej aktuale edhe sot, pas 1665-s kur u vu në skenë për herë të parë dhe u cilësua skandaloze nga Kisha.

“Mendonim se pas viteve ’90 hipokrizia do të ishte paksa në minorancë,  por sot sa me lart te jemi ne nivelet e shoqërisë sonë aq me e shprehur është një gjë e tillë. Unë po them se nuk përjashtoj veten time nga kjo, por të paktën mundemi që nëpërmjet një vepre të bëjmë një lloj autopastrimi”, shpresonte regjisori dhe aktori Imami për katarsisin e famshëm që mëton teatri, qysh prej antikitetit.

Shfaqja e planifikuar të ngjitej në skenën e sallës ‘400’të ArTurbinës deri më 15 mars do të pezullohej nga një vendim i ministres së Kulturës tri ditë  pas premiere, pasi vendi pezulloi aktivitetet me grumbullime njerëzish, ndër to edhe kulturoret e artistiket.

“Njerëzit ishin të ndërgjegjësuar sepse në premierë nuk ishte mbushur salla. Që salla të mos mbushej plot në premierë, nuk kishte ndodhur ndonjëherë. Ne e dhamë në datë 6,7 dhe 8. Ishte e pamend që të grumbullonim njerëzit. Bëra lajmërimin për ata që kishin prerë biletat që t’i mbanin për një kohë më të mirë ose t’i kthenin dhe të merrnin lekët mbrapsht”, do të rrëfente në një intervistë televizive Imami.

Kësaj here, 24 vjet më vonë, lufta ishte globale. Pasiguria për jetën, shëndetin, të ardhmen, ekonominë ishte aq e madhe sa solli “lockdown”, të të gjithë përditshmërisë siç e kishim njohur dhe marrë të mirëqenë, përfshirë veprimtaritë artistike e kulturore që e ndihin njerëzimin pikërisht të dalin nga zymtësia e jetëve rutinore.  

 “Ne na rastisi që ndërkohe që ne gazmonim ne skenën e teatrit, rrugët e Shqipërisë zhurmonin nga ngjarjet e 1997. Mua me kishte ngelur një peng, megjithëse kjo është nje vepër qe duhet te ishte në repertorin e teatrit”, shprehej pak ditë para premierës së shumëpritur Artan Imami.

Por prej 9 marsit, shfaqjet e Teatrit Kombëtar (  i cili në kohë pandemie humbi edhe godinën historike, e cila u shemb më 17 maj), të paktën ato në ambiente të mbyllura vijojnë të jenë të pezulluara. Me to, edhe “Don Zhuani” i Imamit.

Pas tetë muajsh, Imami, tashmë si Kreu i Sindikatës së Artistëve të Trupës së Teatrit Kombëtar  iu drejtua Ministrisë së Kulturës kërkesën për zhbllokimin e buxhetit edhe leje për nisjen e provave. Mbledhja u bë në një nga sallat e ArTurbinës, ndërsa në një sallë tjetër të dedikuar Teatrit Eksperimental, kanë nisur shfaqjet brenda.

Ajo që kërkonte Imami, në emër të të gjithë komunitetit të aktorëve dhe regjisorëve të Teatrit Kombëtar, ishte jo fillimi i shfaqjeve, por të paktën nisja e punës së trupave, zhbllokimi i  buxhetit, që ka lidhje me kontratat e aktorëve të jashtëm për projektet.

“Baret dhe restorantet lejohen, vetëm ne, diskotekat dhe stadiumi jo. Ne i bëjmë një thirrje që mbase ka ardhur momenti që të fillojmë provat me shpresë, që jeta vazhdon”, është shprehur  imami gjatë mbledhjes së zhvilluar në fundjave, ndërsa ka shtuar se në Europë teatrot janë hapur, sipas protokolleve të Covid-19. “Virusi do të jetë me ne pa fund, por ne nuk mund të rrimë të dalim në pension. Ne do të bëjmë një takim edhe për gjëra të tjera, që janë të rëndësishme në Ministri të Kulturës”, do të shprehej Imami. E ndërsa teatro të tjerë si Eksperimental, Metropol apo edhe ai i Durrësit lundrojnë mes pandemisë dhe vështirësi, duke gjetur shtigje për të ngjitur në skenë shfaqje në ambiente të hapura si “TuNel Tarrace” apo tek Amfiteatri i Liqenit Artificial, drejtori i Teatrit Kombëtar Hervin Çuli hesht kur pyetet se kur do ta nisë sezonin e ri, nëse do ta nisë, sipas protokolleve Covid-19. Ministrja e Kulturës cilësonte test hapjen e shkollave e nëse ai rezultonte i suksesshëm e me pak rreziqe do të ndiqej ndoshta edhe nga institucionet e artit e të kulturës. Por deri tani thuajse gjithçka mbetet në ajër të hapur, ashtu si festivali ‘Vox Baroque”  apo koncerti “Agnus Dei” në atriumin  e Muzeut Historik, që çeli zyrtarisht sezonin e ri të TKOB-it. Teatri Kombëtar vazhdon të heshtë, por Artan Imami jo. I kërkon ministres së Kulturës të paktën të nisë puna e trupave, ndërsa  personalisht i është shtuar ndoshta një tjetër peng, ai i rikthimit të “Don Zhuanit”, siç edhe i këshilloi ata artdashës që kishin blerë biletat e shfaqjes, që t’i ruanin për një kohë më të mirë. Ajo kohë ende nuk ka ardhur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë