Lajme

Moti i keq pezullon lundrimet e tragetit Durrës-Bari, dëme dhe në Vlorë

Këtë të hënë, vendi ynë është përfshirë sërish nga moti i keq dhe reshjet e shiut me stuhi.

Moti i keq dhe deti i dallgëzuar ka penguar lëvizjen e trageteve në dy anët e Adriatikut si dhe qytetin bregdetar të Vlorës.

Kapitaneria e portit detar të Durrësit thotë se tragetet nuk janë nisur natën e kaluar nga Durrësi drejt Barit dhe anasjelltas.

Gjithashtu sektori i peshkimit është pezulluar për shkak të erës së fortë dhe detit që shkon deri në 7 ballë në det të hapur.

Edhe aktiviteti tregtar është pezulluar përkohësisht për shkak të erës së fortë që pritet të ketë tendencë rritje deri në orët e pasdites.

Moti i keq shkaktoi probleme edhe disa ditë më parë në këtë qytet, duke shkaktuar përmbytje në disa akse kryesore.

Shirat e rrëmbyeshëm dhe era e fortë ka shkaktuar disa dëmtime përgjatë Lungomares. Disa pemë dhe kabina prej druri janë rrëzuar.

Lundrimi detar vijon të jetë i pezulluar për shkak të motit të keq.

Ndërkohë, problematike paraqitet situata edhe në rrugën Kukës-Shishtavec. Shkëmbinj të përmasave të jashtëzakonshme shkëputen nga faqet e malit e bien në rrugë në këto kohë shirash në verilindje.

Bashkia ka angazhuar mjetet e saj për pastrimin e rrugës deri vonë pas mesnate e për ta rikthyer në normalitet, por problemi mbetet i pazgjidhur pa sipërmarrje. Reshjet e shiut nuk shkaktuan probleme vetëm në këtë aks rrugor, por edhe në disa akse të tjera rurale në fshatrat e thella.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë