Lajme

Shirat e vjeshtës, përmbytje në disa qytete të vendit

Stuhitë e papritura të shiut ditët e fundit kanë sjellë edhe përmbytje të rrugëve në disa qytete të vendit si në Konispol, Lushnjë, Fier, Lezhë, Kukës etj.  

Një breshër i pazakontë ka rënë në Konispol, i cili ka dëmtuar pemët frutore në këtë zonë.

Kryetari i bashkisë, Shuaip Beqiri, thotë se si pasojë e breshrit, janë dëmtuar shumë pemë frutore.

Ndërkohë edhe në Fier ka pasur reshje me intensitet të lartë që herë pas here është shoqëruar me shkarkime atmosferike dhe erë të fortë. Era ka zgjatur për disa minuta.

Në Lushnje reshjet e dendura të shiut që zgjatën rreth 10 minuta sollën përmbytjen e rrugëve në këtë qytet. Sistemi i evadimit të ujërave sipërfaqësore doli jashtë funksionit për rreth gjysmë ore. Radhë të gjata automjetesh janë krijuar në rrugë në pikun e lëvizjes në mëngjes. Disa akse rrugore kanë mbetur të paralizuara.

Reshjet e dendura të shiut në qytetin e Lezhës kanë krijuar probleme në bllokun e banimit nga “11 Janari” deri në lagjen “Besëlidhja”. Uji ka vërshuar në mënyrë të menjëhershme duke krijuar vështirësi në lëvizje.

Ndërsa në qytetin e Kukësit, në mungesë të burimeve ujore dhe thatësirës, reshjet me intensitet të lartë kanë sjellë bereqet për këtë vend. Deri në këto momente nuk raportohet për probleme në këtë qytet.

Reshjet ishin pozitive për rritjen e burimeve ujore në basenet ujëmbledhëse të ujësjellësit dhe rritjen e Liqenit të Fierzës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë