Ministrja Ogerta Manastirliu prezantoi sot një aparaturë të re që do të shërbejë për tranfuzionin e plazmës së gjakut si një terapi alternative për pacientët e prekur nga Covid-19.
“Kemi siguruar pajisjen e posaçme të ndarjes automatike të gjakut, bashkë me setet e dedikuara, në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, ku veç metodës tradicionale, ne tashmë mund të përdorim edhe metodën e avancuar për sigurimin e plazmës, që do të përdoret për trajtimin e atyre pacientëve me COVID19, që përcaktojnë ekipet mjekesore, sipas protokolleve të përcaktuara”, tha Manastirliu.
Ministrja përcaktoi se fushatës “Bëhu hero për dikë që ka nevojë” i janë bashkuar 54 dhurues gjaku dhe në të dy spitalet Covid janë rreth 20 pacientë që kanë marrë trajtimin e plazmës.
“Afereza Produktive është mbledhja e selektuar e produkteve të gjakut. Kjo realizohet nëpërmjet një pajisje të posaçme që quhet ndarësi qelizor i gjakut, që sot është vënë në funksion në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, së bashku me setet e dedikuara.
Nëse deri më sot, nëpërmjet dhurimit konvencional, dhurohet gjaku i plotë, që përmban eritrocite, trombocite dhe plazmë, nëpërmjet ndarësit qelizor mund të ndahet automatikisht komponenti i dëshiruar. Avantazhet e mbledhjes së selektuar të komponentëve të gjakut janë: produkte më cilësore; në sasi të përshtatshme për të trajtuar më shumë se një pacient nga një dhurues i vetëm; shkurtim domethënës i afateve nga një dhurim në tjetrin. (dhurimi konvencional kërkon të kalojnë minimalisht 8 javë nga dhurimi në dhurim, ndërkohë që nëpërmjet ndarësit qelizor, dhurimi i plazmës mund të përsëritet çdo 14 ditë),” shpjegohet më tej në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Gjithashtu, përdorimi i gjerë i plazmës konvaleshente në shumë vende të BE e SHBA në trajtimin e COVID-19, si edhe avantazhet e dhurimit me aferezë, nxorrën në pah nevojën për të pasur në dispozicion të Qendrës së Gjakut ndarësin qelizor, me qëllim mbledhjen e dedikuar dhe në sasi sa më të mëdha të plazmës konvaleshente nga dhurues (ish pacietë me COVID-19) me një titër të rëndësishëm antitrupash ndaj SARS-CoV2.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




