Art dhe Kulture

Pak (më shumë se) ngjashmëri

Viktor Zhusti si një Alain Delon i shqiptarëve, ende plot sharm edhe pas të shtatëdhjetave. Vaçe Zela ikona e muzikës moderne, bashkëmoshatare e legjendës e Woodstock, që la gjurmë në vitet ’60, Janis Joplin. Kadare në moshë të re, të ndërmend ekzistencialistin francez Kamy, francezi fitues i Nobelit, ndërsa shqiptari pretendues prej vitesh i çmimit në Letërsi. Mbreti Zog, pas të dyzetave duket binjaku i Walt Disney-it dhe flokët e bardhë të publicistit Arshi Pipa të ndërmendin eksentrikun e pop-art, Andy Warhol.

Delon & Zhusti, joshës si vera e vjetër  

I pari mbetet edhe sot rrëmbyesi i zemrave të francezeve dhe përtej... Delon është ndoshta versioni më joshës i banditit të maskuar, Zorro dhe sëbashku me aktoren Romy Schneider kanë qenë një prej çifteve më të lakmuar e të lakuar të botës së spektaklit. Në moshën 85-vjeçare, pavarësisht problemeve shëndetësore ku sëfundi pësoi një goditje në tru, ai vazhdon ta ruajë termin “dashnori latin”, në sharmin që këmbëngul të mos plaket me moshën. Vitin e kaluar ai u shfaq i pamoshë në Festivalin e Kanës, ku iu akordua Palma e Artë e Nderit, për karrierën e tij.

Alain Delon, Kanë 2019

Ndërsa Delon depërtonte në Hollivudin e viteve '60, ku u bë i njohur me filmin "Plein Soleil", i njohur edhe si “Mesdita bojëvjollcë”, në Shqipërinë e izoluar spikaste aktori shqiptar i lindur në Greqi, para se kufijtë të vuloseshin për dekada me radhë.

Me sytë e shkruar, tiparet e rafinuara e elegante dhe një zë që tingëllonte si të aristrokratëve të mësuar me etiketën e bonton-it, Viktor Zhusti do të krijonte shumë admiruese - edhe në brezat e mëvonë - veçanërisht në portretizimin e rolit të tij si Alberi pa “T”, në komedinë “Shi në Plazh”. Edhe kapela e partizanit i jepte hijeshi aktorit, ndërsa portreti i burrështetasit Pandeli Sotiri nuk mund të mos shoqërizohet me portretin e Zhustit. Pas një mungese të gjatë në ekran dhe teatër, Viktor Zhusti do të kthehej po aq i pashëm sa kohë më parë, me floknajën e argjendtë dhe sytë e hirtë. Roli i psikanalistit në skenën e Teatrit Kombëtar me “Të gjithë kanë huqe” e ktheu atë pas gati 20 vjetësh, sërish në vëmendjen e publikut.  

Viktor Zhusti

Zhusti do të shfaqej më në formë dhe elegant se kurrë, duke sfiduar moshën në spektaklin e vallëzimit “Dancing With the Stars”, plot dy herë, me një rikthim në specialen e organizuar vite pas konkurrimit të parë dhe mbetet aktiv  me  rolet në teatër, ku vite më parë u shfaq edhe si Markezi De Sade, në dramën “Vrasja e Maratit”, duke mishëruar hedonizmin e libertinit më të madh francez, si edhe dy vjet të shkuar prezantoi Festivalin e Këngët në RTSh. Viti i kaluar ishte i suksesshëm për Zhustin me rolin e Leos në filmin  “Delegacioni, i cili  pati jehonë në festivale ndërkombëtare dhe u nderua me çmim në Varshavë, ndërsa Zhusti si Aktori më i mirë, në festivalin e Filmit në Irak.

Me aktorin francez, Zhusti nuk ndan vetëm ngjashmëri fizike. Të dy karakterizohen nga një jetë e trazuar personale. Më 1 tetor të vitit 1968, në fshatin Élancourt, Yvelines, në një fshat të periferisë të Parisit, trupi i Stevan Marković, ish-truprojë e Delonit, u gjend në një grumbull mbeturinash. Alain Delon dhe gangsteri korsikan Francois Marcantoni u vunë nën hetim. Më 1969-n, Delon u dënua me katër muaj burg nga një gjykatë italiane, pasi kishte sulmuar një fotograf.

Aktori shqiptar ka vuajtur dënim me burg, ku emri i tij lidhej me çështje droge. Sipas vetë Zhustit, kjo ishte më shumë një grackë e policisë.  Ai u rikthye në Teatër pas periudhës së karantinës me veprën “Testamenti i ri”, një tjetër bashkëpunim me regjisorin Gëzim Kame, pas “Terror”-it të vitit të kaluar. Ky ishte takim i parë live, pas shfaqjeve online që u transmetuan në rrjetet sociale gjatë periudhës së karantinës.

Portret i artistit në rini, si Kamy

Në një prej fotografive të shkrimtarit, ekspozuar në shtëpinë-muze Kadare, që mban firmën e fotografit Petrit Kumi, Ismail Kadare ka një ngjashmëri befasuese me shkrimtarin dhe filozofin francez, Albert Kamy. Ndoshta ekzistencialisti dhe romancieri i Absurdit, i lindur dhe i rritur në Algjeri,  ishte frymëzim i brezave të rinj të shkrimtarëve apo thjesht rastësi, por kjo e fundit do t’i takonte në Parisin e artit (edhe pse në kohë të ndryshme, pasi Kamy do të ndahej nga jeta më 1960-n) dhe më vonë në listat e Nobelit. Kamy e fitoi Nobelin e Letërsisë në moshën 44-vjeçare, më 1957-n, i dyti autor më i ri në historinë e fituesve.

Shkrimtari dhe filozofi francez, Alber Kamy

Kamy ishte shumë aktiv në politikë, pjesë e së Majtës dhe iu kundërvu Bashkimit Sovjetik, për shkak të totalitarizmit. Kamyja ishte moralist dhe prirej drejt anarko-sindikalizmit. Kritika e tij e egër ndaj Bashkimit Sovjetik e bëri të përplaset me të tjerë në të Majtën politike, veçanërisht me mikun e tij Jean-Paul Sartre, një tjetër nobelist që e refuzoi çmimin më 1964-n. Nga ana filozofike, pikëpamjet e Kamysë kontribuuan në lindjen e filozofisë së njohur si Absurdi.  Kamyja gjithashtu konsiderohet si një ekzistencialist, pavarësisht se e ka refuzuar fort termin, gjatë gjithë jetës së tij.

Botimi i parë i Kamysë ishte “Revolta ndaj Asturëve”, në maj të 1936-s. Në maj të 1937-s, shkroi librin e tij të parë “Ana e gabuar dhe ana e drejtë”. Kamy e ndau veprën e tij në tri cikle. Së pari ishte “Cikli i Absurdit”, që përbëhej nga “I huaji”, “Miti i Sizifit” dhe “Kaligula”. I dyti ishte Cikli i Revoltës;  “Murtaja”, “Rebeli dhe Kalievi” dhe i treti, cikli i dashurisë që përbëhej nga “Armiqtë”. Vdekja e beftë nuk e la ta përfundonte veprën e tij. Vepra e Kamysë, qofshin romanet apo esetë filozofike të tij janë ende me shumë ndikim. Pas vdekjes, interesi mbi Kamynë ndoqi lindjen e së  Majtës së Re.

Shkrimtari Ismail Kadare

Në vendin ku jetonte dhe spikaste si një prej shkrimtarëve më të talentuar të brezit të tij, Kadaresë i duhej të xhonglonte me pushtetin e instaluar fillimisht si forcë e së majtës, për t’u shndërruar më pas në një nga diktaturat më të egra komuniste të të gjithë Bllokut Lindor.

Marrëdhënia e tij ishte e çuditshme me pushtetin, aq e brishtë sa mund ta shndërronte brenda një nate shkrimtarin e madh e prodhimtar, në një armik të popullit e të partisë, degdisur në një prej burgjeve famëkeqe ku vuajtën dënimin shumë shokë e kolegë të tij. 

Ishin parabolat mjeshtërore në libra si “Pallati i Ëndrrave”, ku sulmohej pushteti apo libra që vlerësoheshin nga elita qeverisëse si “Dimri i Madh” - një kundërpeshë që do të vinte pas kritikave për romanin “Përbindëshi”, siç edhe vetë Kadare ka pranuar se ka qenë i shtrënguar ta shkruante -, apo poezitë ku lëvdohej partia, që e mbajtën shkrimtarin në fije të perit përballë regjimit.

Në librin e tij të fundit eseistik “Kur sunduesit grinden”, Kadare heq paralele mes marrëdhënieve delikate të shkrimtarit rus Boris Pasternark – i shtrënguar  të refuzonte Nobelin në Letërsi – me diktatorin Stalin dhe atij vetë me diktatorin Hoxha. Ajo që do ta shpëtonte shkrimtarin shqiptar që Moskën e Pasternakut e kishte prekur përmes studimeve, ku u detyrua të kthehej pas prishjes së marrëdhënieve ruso-shqiptare, ka qenë me shumë gjasë fama që ai mori në Perëndim, veçanërisht në Francë me botimin e librit “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” .

Helena dhe Ismail Kadare

Jehona e romanit bëri që regjisori Luciano Tovoli t’i futej punës për ta sjellë në version kinematografik përmes lojës aktoriale të aktorëve Marcello Mastroiani dhe  Michel Piçoli. Pas peripecive të gjata, ku u përfshi drejtpërdrejt politika, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Kinostudioja, projekti u anulua. Megjithatë, shkrimtari shqiptar e kishte çarë perden e hekurt të izolimit dhe kishte depërtuar tek lexuesi frëng e më vonë do të përkthehej në 45 gjuhë.

Ndërsa ndiente grahmat e fundit të regjimit, Kadare vendosi të mos bënte më vizita të shkurtra pune në Paris, por të shpërngulej njëherë e mirë me familjen atje.  Kadare ndan kohën mes Parisit dhe Tiranës. Në vitin 1996 u pranua në Akademinë e shkencave sociale dhe politike në Francë, ku zëvendësoi filozofin Karl Popper. Nga viti 1994 deri 2004 shtëpia botuese franceze Fayard botoi veprën komplete të Kadaresë në frëngjisht dhe shqip. Gjatë viteve të 90-ta ai ndihmoi botimin e shumë autorëve shqiptarë në Francë, qoftë duke ua sugjeruar botuesve francezë, qoftë duke ua shkruar ia ndau parathëniet. Në Panairin e Librit, në nëntor të 2018-s sjell sprovën “Kur sunduesit grinden”, duke zbërthyer misterin e bisedës telefonike mes Stalinit dhe Boris Pasternak.  Më 2019-n nderohet me çmimin “Pak Kyongni”, në Korenë e Jugut dhe çmimin “Neustadt” për 2020-n, i konsideruar si Nobeli amerikan.

Ai është nderuar me çmimet e rëndësishme letrare s i” Man Booker International Prize”, “Princi i Asturias” për Artet “Jerusalem”, e më 2016 presidenti francez i akordoi  titullin “Komandant i Legjionit të Nderit”. Kadare njihet si shkrimtar i cili në veprat e tij në mënyrë të qëllimshme u shmang nga Realizmi Socialist, dhe si i tillë veprat e tij u përkthyen dhe u lavdëruan nga kritikët dhe lexuesit anembanë botës. Ai krijoi një vepër me karakter universal por që rrënjët i ka thellë në tokën shqiptare. Kadare konsiderohet nga disa si një nga shkrimtarët dhe intelektualët më të shquar evropianë të shekullit të 20-të, si dhe një zë universal kundër totalitarizmit.

Vaçe & Janis

Woodstock-u i famshëm i çlirimit seksual, hipive, jogës dhe spirtiualizmit të Lindjes së Largët, drogave dhe rock&roll-it. Janis Joplin ishte padyshim kuintesenca dhe simbol i viteve ’60, po aq sa ishte ikonë në Shqipërinë e izoluar Vaçe Zela, ku me kolegë të saj e patën një “Woodstock” të tyrin në Festivalin e 11 të Këngës.

Nëse fatkeqësia e këngëtarëve dhe muzikantëve të atij brezi vinte kryesisht nga abuzimi me drogat- vetë Joplin do të vdiste nga një mbidozë heroine –në vendin e vogël e shumë të largët prej Amerikës fati i keq vulosej nga politika, ku të shumtë ishin ata që shënuan perëndimin e karrierë së tyre atë vit, 1972 dhe shumë u burgosën pse kënduan si “të huajt” e botës imperialiste e revizioniste apo patën guximin të lëviznin nën ritmin e muzikës në skenë, me pantallonat cowboy...

Janis Joplin

Janis Lyn Joplin ishte një këngëtare dhe kantautore amerikane e rrymave rrok, soul dhe blues dhe një nga yjet më të duksesshme dhe më të njohura të rokut të epokës së saj.

Ajo u shfaq në festivalin “Woodstock” dhe në turin me tren “Festival Express” .

Këngët e saj më të njohura përfshijnë versionet cover të  “Piece of My Heart”, “Cry Baby”, “Down on Me”, “Ball and Chain” dhe  “Summertime”;  dhe kënga e saj “Mercedes Benz”, që ishte edhe regjistrimi i fundit. Joplin, një mexosoprano, e respektuar shumë për aftësitë e saj karizmatike në performancë, u përfshi pas vdekjes në Korridorin e Famës së Rrok and Rollit, më 1995-n. Rolling Stone e renditi të 46-tën,  në listën e saj të 2004-s, mes 100 Artistëve më të Mëdhej të të Gjitha Kohëve dhe e 28-ta më 2008 ndër 100 Këngëtarët më të Mëdhenj të të Gjithë Kohëve. Ajo mbetet një nga muzikantët më të shitur në ShBA, me 15.5 milionë albume të shitur.

Vdekja e Joplinit në moshën 27 -vjeçare tronditi fansat dhe botën muzikore, kur vetëm 16 ditë para saj kishte vdekur edhe një tjetër ikonë e rrokut, Jimi Hendrix, gjithashtu  27 -vjeçar. Më vonë disa njerëz do i atribuonin domethënien vdekjes së muzikantëve në moshën 27-vjeçare si “Klubi 27”.

Vaçe Zela

Me flokët e gjatë e të lëshuar dhe gojën e madhe dhe të kënduarit emocional, Vaçe Zela ka një ngjashmëri të habitshme me rrokeren amerikane. Vaccja do ta niste karrierën në një kohë, kur ajo e Joplin ishte në shpërthim, në vitin 1962. Fitoi menjëherë Festivalin e Këngës,  me këngën Fëmija i parë. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.

Fituese 12 herë e festivalit, Vaçja fitoi famë gjatë epokës komuniste dhe iu dha titulli Artist i Merituar në vitin 1973 dhe Artist i Popullit në vitin 1977. Ajo iu  largua përfundimisht skenës në vitin 1992 dhe prej vitit 2002 e deri në fund të jetës, në shkurt të 2014-s,  banoi  në Bazel të Zvicrës, për të marrë kujdes më të mirë shëndetësor.

Vaçe Zela në festivalin folklorik

Ajo është e vetmja grua shqiptare e nderuar në të gjallë me Urdhrin “Nderi i Kombit” nga presidenti Alfred Moisiu “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”.Për nder të këngëtares, viti 2009 u shpall nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. Një rrugë në Tiranë mban emrin e saj dhe një shtatore është vendosur në qytetin e lindjes, Lushnjë, e punuar nga skulptori i ndjerë Arben Bajo, i ndarë nga jeta në gusht të 2020, nga komplikacionet e Covid-19.

Warhol, Pop & Pipa

I pari është artist i shquar i Pop Art në Amerikë, i dyti shkrimtar e publicist shqiptar. E përbashkëta mes tyre nuk është vetëm Amerika, por edhe ngjashmëria fizike. Andy Warhol ishte një artist amerikan, regjisor i filmit dhe producent i cili ishte një figurë udhëheqëse në lëvizjen e artit pamor të njohur si arti pop. Punimet e tij eksplorojnë marrëdhëniet midis shprehjes artistike, reklamimit dhe kulturës së famshëm që lulëzuan deri në vitet '60, dhe përfshin një larmi mediash, duke përfshirë pikturën, fotografinë, filmin dhe skulpturën. Disa nga veprat e tij më të njohura përfshijnë pikturat mëndafshi të Campbell's Soup Cans dhe Marilyn Diptych, si edhe filmin eksperimental Chelsea Girls.

Andy Warhol

Studioja e tij e Nju Jorkut, The Factory, u bë një pikëtakimi i njohur për intelektualë të shquar, dramaturgë, bohemë, të famshëm të Hollivudit dhe investues të  pasur të artit. Çmimi më i lartë i paguar ndonjëherë për një pikturë Warhol është 105 milion dollarë amerikanë për një kanavacë të 1963 të titulluar Rrëzimi i makinave të argjendit (katastrofë e dyfishtë); veprat e tij përfshijnë disa nga pikturat më të kushtueshme,  të shitura ndonjëherë. Warhol vdiq nga aritmia kardiake në shkurt 1987 në moshën 58 vjeç.

Libohoviti i lindur në Shkodër, i kreu studimet studioi Letërsi e Filozofi në Universitetin e Firences, U kthye në Shqipëri dhe nga viti 1941 dhe deri në fund të vitit 1944 dha lëndën e filozofisë në Licetë Shtetërorë të Tiranës, Shkodrës dhe të Durrësit. Në vitin 1944 drejtoi revistën “Kritika”. Kur Lidhja e Shkrimtarëve nisi botimin e organit "Bota e Re",[2] Pipa me Kutelin ishin të vetmit jokomunistë në këshillin drejtues.  E  arrestojnë më 1947-n me akuzën se gjatë kohës së luftës kishte “drejtuar revista me ideologji fashiste për të mashtruar popullin dhe për të maskuar okupacionin fashist” dhe se vijonte punën me studentët e vet duke e akuzuar pushtetin komunist si terrorist, akuza për të cilat u dënua me 20 vjet heqje lirie.

Skicë e Arshi Pipës

Vuajti në burgjet dhe kampet e shfarosjes, ku shkroi librin me poezi “Libri i Burgut”Lirohet më 26 prill 1956 dhe një natë të fundverës së 1957 arratiset bashkë me të motrën, Fehimen. Emigroi në Shtetet e Bashkuara më 1958. Në fillim punoi si arkëtar në një hotel të Nju Jork-ut. Ka qenë pedagog i gjuhës italiane në universitetin Kolumbia në vitet 1961-62, dhe profesor i asociuar i gjuhës italiane, në universitetin e Delfit, Garden City, dhe, në të njëjtën kohë, gjatë verës, dha filozofi në Kolegjin e Arteve të Lira.Nga viti 1963-66 ishte profesor i asociuar në vitin akademik 1963-64 në departamentin e gjuhës italiane, në universitetin e Kalifornias, Berkley. Përkrahu lëvizjen studentore të Berkley University të Kalifornisë, e njohur si “Free speech movement”, dhe u bë kritik i paanshëm i politikës. Me artikujt e tij i ofroi Perëndimit të dhëna të dorës së parë mbi gjendjen e shkrimtarëve dhe intelektualëve në vitet e para të Shqipërisë staliniste.

Një Mbret për Disney

Nëse do ta kishte njohur historinë e Mbretit të Shqiptarëve dhe Trëndafilit të Hungarisë, Geraldinë Appony, me siguri që Walt Disney do të kishte sjellë një version të animuar të martesës së tyre madhështore dhe dashurisë në të mirë e në të keq, nga mbretërimi e deri tek mërgimi...Por më shumë se kaq mbreti i dinastisë më të madhe të botës së prodhimeve të kinematografisë së animuar do të habitej nga ngjashmëria me Mbretin Zog.Disney ishte pionier i industrisë amerikane të animacionit, ai prezantoi disa zhvillime në prodhimin e karikaturave. Si prodhues i filmit, Disney mban rekordin për shumicën e çmimeve Academy të fituara nga një individ, me  22 Oscar nga 59 nominime.

Walt Disney

Lindur në Chicikago në vitin 1901, Disney zhvilloi një interes të hershëm për vizatim. Ai u transferua në Kaliforni në fillim të viteve 1920 dhe ngriti Studio Brothers Disney me të  vëllain, Roy. Walt  zhvilloi personazhin Mickey Mouse në 1928, suksesin e tij të parë shumë të popullarizuar; ai gjithashtu siguroi zërin për krijimin e tij në vitet e para. Thuhet se u bazua në  tiparet e tij për krijimin e miushit të famshëm, Ai do të sillte filma të dashur bazuar në përralla, si  Borëbardha dhe Shtatë Xhuxhët, Pinoku,  Fantasia, Dumbo dhe Bambi. Në vitet 1950, Disney u zgjerua në industrinë e parkut dëfrim dhe në vitin 1955 ai hapi Disneyland në Anaheim, California. Në vitin 1965, ai filloi zhvillimin e një parku tjetër tematik, Disney World, zemra e të cilit do të ishte një lloj i ri i qytetit,  Megjithë dritëhijet e personit të tij, nga një tip i ndrojtur, depresiv, i akuzuar si antisemit dhe imperialist mbetet një figurë e rëndësishme në historinë e animacionit dhe në historinë kulturore të Shteteve të Bashkuara, ku ai konsiderohet një ikonë kulturore kombëtare. Puna e tij filmike vazhdon të shfaqet dhe përshtatet; studio dhe ndërmarrja e tij me emrin e tij ruan standarde të larta në prodhimin e saj të argëtimit popullor, dhe parqet argëtuese Disney janë rritur në madhësi dhe numër për të tërhequr vizitorë në disa vende.

Mbreti Zog

Mbreti që lindi si aristokrat në krahinat më të skajshme të Perandorisë Osmane, ndërsa ishte në grahmat e fundit dhe drejt shpërbërjes, që pa në karrierën e tij politike poste të rëndësishme si ministër, kryeministër e president republike për të vdekur si mërgimtar, në Paris. Është kjo historia e Ahmet Zogut, një prej politikanëve më jetëgjatë shqiptarë, që diti ta mbajë pushtetin me çdo kusht derisa të përmbushte ambicie e tij për t’u bërë monarku i shqiptarëve.

U lind më 1895 në kalanë e Burgajetit, në Perandorinë Osmane. Më 1903, u largua për në Stamboll dhe nisi  studimet në “Numenu Tereki”, e më pas vazhdoi shkollën e oficerëve. Pasi u gradua oficer, ndoqi dhe kreu gjithashtu liceun francez Gallatasaraj.

Nga e majta Mbreti Zog dhe Walt Disney

Ishte vetëm 25 vjeç, kur  në Kongresin e Lushnjës u ftua të merrte pjesë si delegat i Matit. Prej aty doli si Ministër i Brendshëm. Më 5 prill 1921 u zgjodh deputet i Partisë Popullore në Këshillin Kombëtar. Më 25 dhjetor 1921 u emërua sërish ministër i Punëve të Brendshme.Më 2 dhjetor 1922, pasi kryeministri Ypi dha dorëheqjen u emërua kryeministër në vend të tij, duke u bërë kryeministri më i ri i zgjedhur.  Më 21 janar 1925 e shpalli Shqipërinë republikë. Dhjetë ditë më vonë, Asambleja e shpalli kryetar të republikës, duke qenë në të njëjtën kohë edhe kreu i qeverisë. Më 1 shtator 1928, Asambleja Kushtetuese e shpalli Shqipërinë mbretëri dhe Ahmet Zogun mbret. Më 27 prill 1938 martohet me konteshën hungareze Geraldina Appony me martesë civile. Fëmija i tyre i vetëm Princi i Kurorës Leka, lindi në Shqipëri më 5 prill 1939. Lindja u lajmërua me të shtëna topash. Sulmi i pritur nga italianët më 7 prill, 1939,  bëri që Zogu me familjen mbretërore dhe një numër të pasuesve të tij, të linin Shqipërinë. Mbreti ndërroi jetë më 9 prill 1961 në spitalin Foche në Suresnes, pranë Parisit. /S.B


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë