Lajme

Sipërfaqja në lejet e reja të ndërtimit tkurret me 33 % në 6-mujorin e parë, kryeqyteti jep 83% të totalit

Sipërfaqja e lejeve të reja të ndërtimit në të gjithë vendin ra me 33% në 6- mujorin e parë të vitit 2020 në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas të dhënave të INSTAT në 6 mujorin e parë sipërfaqja e lejeve të reja për ndërtimin ishte 655,937 metër katror nga 990,784 që u dhanë më 2019. Tirana zuri 83 për qind të totalit të sipërfaqes së dhënë në lejet e reja.
Rënia e lejeve këtë vit lidhet me dy faktorë themelore sipas burimeve nga tregu. Së pari situata pandemike ka ndikuar negativisht interesin për të investuar në sektorin e ndërtimit. Së dyti, vitin e kaluar lejet e ndërtimit arritën kulmin që nga viti 2012, teksa po sinjalizohet një normalizim i kurbës.
Sipas qarqeve shihet se lejet sipas sipërfaqes kanë pësuar rënie me 27 për qind në Tiranë. Rënia pasoi edhe në qytetet e mëdha si Durrësi, Elbasani dhe Fieri, ku sipërfaqja e re që do të ndërtohet shënoi rënie përkatësisht me 73, 47 dhe 33 për qind.
Nga të gjitha qarqet rritje e sipërfaqes se re për ndërtim u shënua vetëm në qarkun e Dibrës, me 280 për qind në raport me një vit më parë.
Kryeqyteti është motori i bizneset të ndërtimit pasi mbaj peshën kryesore si në leje dhe në sipërfaqe në raport me qarqet e tjera, ku ndërtimet e reja nuk kanë zhvillime domethënëse.
INSTAT i rishikoi të dhënat e lejeve të ndërtimit për vitin e kaluar duke saktësuar lejet e dhëna në vitin 2019. Nga ky rishikim rezultoi se në Tiranë sipërfaqja e re që do të ndërtohej ishte 7% për qind më e lartë se ajo që është publikuar vitin e kaluar.
Sipas INSTAT në tremujorin e dytë 2019 janë miratuar gjithsej 310 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 270 leje të miratuara në tremujorin e dytë 2018, duke shënuar një rritje prej 14,8 %.
Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e dytë 2019, është 409.548 m 2 , nga 292.895 m 2 miratuar në tremujorin e dytë 2018, duke shënuar një rritje prej 39,8 %.
Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike, në tremujorin e dytë 2019, është 16,8 miliardë lekë, nga 11,4 miliardë lekë miratuar në tremujorin e dytë 2018, duke shënuar një rritje prej 47,0 %. /Monitor


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë