Analize

Zgjedhjet në Malin e Zi, pjesëmarrje rekord në të gjithë vendin

Mali i Zi ka hapur sot qendrat e votimit, duke u bërë shteti i tretë në Ballkan që mban zgjedhjet parlamentare gjatë pandemisë së koronavirusit.

Ndryshe nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut, pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare në Malin e Zi duket se do të arrijë nivel rekord, pasi deri në  orën 13:00 të paktën në Komunën e Tuzit, pjesëmarrja në votim ka arritur në 54.1%. Qendra e Monitorimit (CEMI) njoftoi se gjithsej 68.4% e votuesve votuan deri në orën 17:00.

Ky proces zgjedhor është shoqëruar me debate të forta mbi identitetin kombëtar dhe vlerat e besimit, duke bërë që shumë qytetarë të nxiten të votojnë.

Sipas të dhënave të Komisionit të Zgjedhjeve në Podgoricë, deri në orën 09:40, kanë votuar 14.3 % e personave në listat e votimit, një përqindje gati dyfsih më e lartë krahasuar me shifrat e katër viteve më parë.

Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2016 në këtë fashë orare kishin votuar vetëm 6.5%.

Deri tani kanë votuar 75600 qytetarë. Kryetari i Partisë Lidhja Demokratike Shqiptare e cila është në koalicion me Lista Shqiptare, Nikollë Camaj ka votuar në Tuz. Ndërkohë, kryetari i Alternativës Shqiptare kandidat i Listës Shqiptare në Tuz votoi rreth orës 10:00. “Unë sapo përfundova obligimin qytetar, andaj Ju ftoj edhe juve të delni në votime!”, u shpreh ai.

Shqiptarët e Malit të Zi po garojnë për herë të parë të unifikuar në dy koalicione, me shpresën do të mund të marrin dy vende në parlamentin e vendit fqinj.

Koalicioni më i madh është ai me 5 parti, Alternativa Shqiptare, Forca e Re Demokratike, Lidhjes Demokratike Shqiptare, Unioni i Tuzit dhe Lëvizja Qytetare Perspektiva, të cilat nënshkruan një marrëveshje për të kandiduar në zgjedhje me një listë të përbashkët. Kjo është hera e parë qe shqiptarët po kandidojnë të bashkuar, edhe pse synimi fillestar ishte që të gjithë shqiptarët të përfaqësoheshin me një listë të vetme. Por ndryshe nga shqiptarët e Serbisë, ata nuk arritën të bashkohen në një koalicion.

Ashtu si gjatë tre dekadave të kaluara, Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit Milo Gjukanoviç synon fitoren pas 30 vitesh në pushtet, ndërsa opozita pro-ruse, Fronti Demokratik, është e bindur për ndërrimin e pushtetit. 

Por pavarësisht akuzave për korrupsion dhe krim, partia e presidentit Gjukanoviç parashikohet të korrë një tjetër sërish sipas sondazheve, Megjithatë, Gjukanovic raportohet se mund ta ketë të vështirë e vetme të formojë shumicën qeverisëse. Në këto kushte, vota e shqiptarëve konsiderohet me rëndësi në përcaktimin e fituesit.

Zgjedhjet parlamentare janë duke u mbajtur nën tensione të larta politike për shkak të marrëdhënieve të tensionuara me Serbinë por edhe pandemisë.  Shefi i misionit vëzhgues të zgjedhjeve në Mal të Zi, Gianluca Passarelli deklaroi se votimet po mbahen në një kohë vendimtare për vendin fqinj dhe se trazirat politike dhe sociale, kriza ekonomike dhe pandemia paraqesin një sfidë të madhe për të gjithë sistemin.

Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik në Mal të Zi, Boban Mugosha, ka thënë se procesi zgjedhor nuk do të paraqesë rrezik epidemiologjik nëse respektohen të gjitha masat. Sipas tij, situata epidemiologjike në Mal të Zi është përkeqësuar për shkak të tubimeve masive, porse nga vetë zgjedhjet nuk do të ketë rrezik.

“Njerëzit mund të shkojnë lirshëm të votojnë dhe të mbajnë maska dhe të distancës . Kështu, hapësira e votimit mund të jetë plotësisht e sigurt”, ka thënë Mugosha.

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, fushata parazgjedhore është zhvilluar kryesisht në mediat online dhe në rrjetet sociale. Në përputhje me urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë, në tubimet partiake kanë mundur të mblidhen deri në 100 persona jashtë dhe 50 brenda.

Temë mbizotëruese e fushatës ka qenë Ligji për Lirinë e Fesë, për të cilin shteti dhe Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi kanë pasur mosmarrëveshje të ashpra. Ligji, i cili është miratuar në Kuvendin e Malit të Zi më 27 dhjetor të vitit 2019, dhe me kundërshtimin e deputetëve të Frontit Demokratik, është cilësuar nga Kisha Ortodokse Serbe si një përpjekje për të rrëmbyer pronën e saj.

Ligji përcakton që e gjithë prona e Kishës, e krijuar para vitit 1918 në Mal të Zi, për të cilën Kisha Ortodokse Serbe nuk ka prova të origjinës, t’i transferohet shtetit.

Përveç organizimit të protestave për muaj të tërë në të gjithë Malin e Zi, Kisha Ortodokse Serbe u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në votime dhe të votojnë kundër Qeverisë aktuale, e cila ka miratuar ligjin.

Në liturgjitë e kishave, të mbajtura gjatë fushatës zgjedhore, përkundër ndalesës së tubimeve për shkak të pandemisë, kanë dominuar simbolet kombëtare serbe dhe mesazhe politike kundër Gjukanovicit dhe qeverisë aktuale. Për një pjesë të opozitës, kryesisht Frontin Demokratik, mbështetja e Kishës Ortodokse Serbe ka qenë shtylla kryesore e fushatës.

Qeveria e ka përqendruar fushatën e saj tek sulmet kundër Kishës Ortodokse Serbe dhe opozitës, duke i akuzuar se po përpiqen të përmbysur qeverinë e Malit të Zi. Pjesa tjetër e opozitës është marrë kryesisht me temat e krimit, korrupsionit dhe sundimit të ligjit.

.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë