Sociale

Gjatë 2025-s, u shtua diskriminimi ndaj komunitetit LGBT+ në Shqipëri

Nga Gazeta ‘SI’ – Gjatë vitit 2025 në Shqipëri është shënuar një rritje e gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit ndaj komunitetit LGBT+, sipas raportit vjetor të Avokatit të Popullit.

Në dokument theksohet se personat e këtij komuniteti janë përballur me kërcënime të shtuara, kryesisht në rrjetet sociale dhe në debatet publike që lidhen me nisma ligjore apo politika që prekin të drejtat e tyre.

Raporti evidenton gjithashtu problematika të shumta në praktikë, ku diskriminimi vijon në fusha kyçe si punësimi, arsimi, shërbimet shëndetësore dhe strehimi. Situata paraqitet veçanërisht e rënduar për personat transgjinorë, të cilët përballen me mungesë procedurash të qarta për njohjen ligjore të identitetit gjinor, vonesa në protokollet mjekësore dhe stigmatizim të theksuar shoqëror.

Një tjetër shqetësim i ngritur në raport është nënraportimi i rasteve të dhunës dhe ngacmimit, që sipas Avokatit të Popullit lidhet me frikën nga ekspozimi publik dhe mungesën e besimit te institucionet përgjegjëse.

Sipas institucionit, kjo klimë jo vetëm cenon dinjitetin e individëve, por ndikon drejtpërdrejt edhe në kufizimin e lirive themelore, përfshirë lirinë e shprehjes, duke krijuar një efekt frikësimi në hapësirën publike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë