Drejtësia

Belinda Balluku rekurs në Gjykatën e Lartë për pezullimin nga detyra

Gazeta Si – Ish-zv/kryeministrja, Belinda Balluku, ka paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë kundër masës së sigurisë ndaj saj “pezullim i ushtrimit të funksioneve publike”, të vendosur me kërkesë të SPAK nga GJKKO në nëntor të vitit 2025, por të lënë në fuqi edhe nga dy shkallët e tjera të gjyqësorit. Rekursi i Ballukut u depozitua sot dhe mbi këtë kërkesë pritet të shprehet Gjykata e Lartë.

Së fundmi, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka zgjatur me 3 muaj afatet e hetimit për dosjen e Tunelit të Llogarasë. Ish-zv kryeministrja dyshohet për “shkelje të barazisë në tendera” tek kjo dosje, ndërsa ndodhet nën hetim për 7 lotet e Unazës së Madhe.

Zgjatja e hetimeve, iu është komunikuar edhe ish-vartësve të saj, Gentian Gjylit dhe Erald Elezit. SPAK ka argumentuar se shtyrja e afateve të hetimit, bëhet për shkak, se kryerja e ekspertizave në kuadër të hetimit merr kohë.

Më herët, Balluku kërkoi në Gjykatën e Lartë pezullimin e masës “ndalim i daljes jashtë vendit”, ankimim që u rrëzua.

Më 9 mars, Gjykata e Posaçme e Apelit mbajti një seancë për masën tjetër, atë të “pezullimit nga detyra”. Pavarësisht se Balluku nuk ushtron më asnjë funksion në pushtetin ekzekutiv, masa u la në fuqi.

Edhe në prill, Apeli i Posaçëm në GJKKO e rrëzoi kërkesën e saj për pezullimin e kësaj mase. Mbrojta e Ballukut pretendon se nuk ka më objekt për masën e pezullimit përderisa Balluku nuk është më as zv.kryeministre dhe as ministre dhe po ashtu nuk ka dekadent pasi ka kaluar afati 3 mujor.

Më 12 mars të këtij viti, Parlamenti votoi kundër kërkesës së SPAK-ut për dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë për Ballukun.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë