Lajme

BDI tërhiqet nga premtimi për Kryeministër shqiptar, drejt rinovimit të koalicionit me Zaev

Premtimi publik i Ali Ahmetit për të pasur për herë të parë një Kryeministër shqiptar në Shkup, e i mbështetur më pas nga i gjithë spektri politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, duket se nuk do të mbahet.

Gjasat janë që Qeveria e re të jetë një ripërtëritje e koalicionit të shkuar; LSDM e Zoran Zaev dhe Bashkimi Demokratik për Integrim e Ali Ahmetit.

Dy partitë kanë zhvilluar negociata intensive përgjatë fundjavës dhe ditën e hënë në nivel Sekretarësh të Përgjithshëm të partive, ndërsa këtë të martë pritet një takim mes vetë Zaev dhe Ahmetit.

Të dyja palët thonë se është bërë përparim në këto bisedime dhe janë zgjidhur thuajse të gjitha çështjet që pengonin marrëveshjen për koalicionin e ri.

Mes këtyre pengesave ishte edhe premtimi parazgjedhor i Ali Ahmetit për të pasur një Kryeministër shqiptar pas zgjedhjeve të 15 korrikut. Por, pas daljes së rezultatit, ku mes shqiptarëve BDI u rendit forcë e parë, Ahmeti është tërhequr nga ky qëndrim.

Vetë BDI akuzon dy partitë opozitare, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa se kanë dobësuar pozitat e shqiptarëve në bisedimet për Qeverinë e re. Sipas BDI, të dyja këto parti kanë hyrë në bisedime të fshehta me LSDM dhe VMRO duke dëmtuar interesat e qytetarëve shqiptarë.

Aleanca për Shqiptarët reagoi duke i cilësuar akuzat si “alibi të Ali Ahmetit për t’u justifikuar përballë elektoratit të tij pas tërheqjes nga premtimi për Kryeministër shqiptar”.

Ndërkohë, VMRO nuk është përfshirë ende në debatin për formimin e Qeverisë së re, por është përqëndruar në betejën ligjore pas padisë së dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, ku kërkon shfuqizimin e dekretit të Presidentit Pendarovski, me anë të të cilit u mandatua Zoran Zaev për formimin e Qeverisë së re.

VMRO thotë se mandatimi i Zaev u bë në shkelje të Kushtetutës, pasi ai nuk kishte siguruar më parë përmes një marrëveshjeje politike me partitë e tjera shumicën prej 61 votash në Parlament.

Vetë LSDM-ja, së bashku me 4 deputetët shqiptarë të Lëvizjes Besa ka 46 vende në Parlament dhe nëse kësaj shifre i shtohen edhe me 15 deputetët e BDI-së sigurohet shumica e nevojshme prej 61 votash për ta miratauar kabinetin qeveritar.

Pjesë e Qeverisë së re parashikohet që të jetë edhe Partia Demokratike Shqiptare me një mandat. Megjithatë, në të gjitha skenarët e mundshëm, Qeveria e re në Shkup duket se do të jetë e brishtë me jo më shumë se 62 deputetë që e mbështesin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë