Policia e Shkodrës ka shpallur në kërkim dy vëllezër si autorë të dyshuar të ekzekutimit me 14 plumba të të riut Gledis Kraja, 23 vjeç, në ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e së hënës në lagjen Perash të qytetit.
Të shpallur në kërkim janë shtetasit Sebastjan dhe Stjuart Smakaj, përkatësisht 29 dhe 23 vjeç.
Policia dyshon se autori i shkrepjes së breshëris automatike në drejtim të automjetit të Gledis Krajës, ish-futbollist i Vllaznisë, është Sebastjan Smakaj, ndërsa Stjuarti mendohet se ka luajtur një rol dytësor, duke ndihmuar të vëllanë në këtë ekzekutim.
Policia thotë se në automjetin me të cilin po udhëtonte viktima janë gjetur gjurmët e të paktën 14 plumbave. Viktima është goditur në trup nga vetëm njëri prej tyre, që ka hyrë në shpatullën e majtë. Ai është shoqëruar menjëherë në drejtim të spitalit, por nuk ka mbijetuar.
Sipas të dhënave paraprake të policisë, pas ngjarjes, Sebastjan dhe Stjuart Smakaj janë larguar me një automjet tip “Peugeot” ngjyrë gri.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e motiveve të të ngjarjes së rëndë, ndërsa paraprakisht mendohet se ajo ka qenë aksidentale pasi të rinjtë njiheshin si miq të ngushtë me njëri-tjetrin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




