NASA ka nisur punën për ndërtimin e sondës së pagëzuar me emrin “Psyche”, që do të dërgohet brenda pak viteve në një mision sa të pazakontë, aq edhe të rrezikshëm për të dështuar: studimin e një asteroidi.
Objektivi i sondës është asteroidi “16 Psyche”, që ndodhet në brezin kryesor të asteroidëve në sistemin tonë diellor, mes planetëve Mars dhe Jupiterit.
Pse “16 Psyche”? Pjesa dërrmuese e asteroidëve që rrotullohen rreth Tokës janë shkëmborë, ose të aktullt. “16 Psyche” është ndryshe. Nga vëzhgimet në distancë të Agjencisë Hapësinore Amerikane dhe Agjencisë Hapësinore Europian (ESA) ky asteroid dyshohet se është ajo çfarë ka mbetur nga bërthama e një planeti të shpërbërë.
Kjo do të thotë se “16 Psyche” është i përbërë nga hekuri, nikeli dhe mbi të gjitha ari, që mendohet se përbën edhe pjesën më të madhe të masës së tij.
Synimi fillestar i NASA-s është afrimi i sondës me asteroidin dhe nëse do të jetë e mundur, nga analizat në vazhdim edhe ulja e një roboti me kosto të lirë në sipërfaqen e tij. Kjo do të thotë se misioni, që sipas parashikimeve do të marrë udhë në vitin 2022, do të jetë eksplorues për të vërtetuar dyshimet që hidhen nga Toka, që thonë se vlera e këtij asteroidi mund të përllogaritet në rreth 10 mijë katërlionë dollarë, ose e thënë më thjeshtë, mjaftueshëm që të shndërronte në miliarder çdo banor të Tokës.
Nisja e sondës “Psyche” pritet që të realizohet në gusht të 2022 me raketën “Falcon Heavy” të “Space X” dhe të fillojë orbitimin rreth asteroidit në janar të 2026.
Aktualisht, ekipi i shkencëtarëve dhe inxhinierëve të NASA-s janë në fazën e ndërtimit të tre instrumentave shkencorë me të cilët do të armatoset sonda. Bëhet fjalë për një magnetometër, që do të shërbejë për të matur fushën magnetike të asteroidit, një aparat shumëspektërsh dhe me një “software” analizues gjeologjik për të fotografuar dhe analizuar sipërfaqen e asteroidit dhe përbërjen e tij dhe një spektrometër që do të analizojë neutronet dhe rrezet gama që mbërrijnë nga sipërfaqja e asteroidit, sërish për të kuptuar më shumë për përbërjen e tij.
Asamblimi dhe testimet e sondës-robotike nisin në shkurt të 2021 në laboratorin “Jet Propulsion”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




