Lajme

Shtimi i rasteve, “Shefqet Ndroqi” rihapet si spital Covid-19

Spitali “Shefqet Ndroqi”, njohur edhe si “Sanatoriumi” do të rikthehet si spital Covid-19. Vendimi është marrë nga Ministria e Shëndetësisë pas përkeqësimit të situatës si me raste të reja, ashtu edhe me shtimin e personave që kanë nevojë për shtrim në spital.

Vendimi do të nisë që të zbatohet nga dita e hënë. “News24” raporton se ditën e hënë do të nisë boshatisja e spitalit dhe dërgimi i pacientëve të tij në ambiente të tjera për t’i hapur rrugë funksionit të ri të ndërtesës nën masa të rrepta sigurie higjieno-sanitare.

“Shefqet Ndroqi” u hap si spital Covid-19 në fund të muajit mars, kur vendi sapo kishte hyrë në izolim. Pas rënies së numrit të rasteve të reja dhe të personave që kishin nevojë për shtrim, ky spital u mbyll si spital Covid-19 duke lënë vetëm Spitalin Infektiv në QSUT për pandeminë.

Ndërkohë, veç “Shefqet Ndroqit” Qeveria thotë se do të ketë gati shumë shpejt edhe godinën e ish-universitetit Kristal, që do të presë pacientët me koronavirus nëse do të jetë e nevojshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë