Lajme

Shkon në 51 numri i viktimave. 2 humbje jete dhe 77 raste të reja në 24 orët e fundit

Gjatë 24 orëve të fundit 2 persona kanë ndërruar jetë si pasojë e Covid-19. Eugena Tomini nga ISHP bën me dije se vdekja e qytetarëve ishte e papritur. Njëri pacient ishte 76 vjeç nga Tirana me disa sëmundje bashkëshoqëruese dhe pas 15 ditësh trajtim. Ndërsa pacienti tjetër ishte në moshën 54 vjeç dhe vuante nga insuficienca renale.

Tomini bëri me dije se 3 javët fundit ka një intensitet të lartë të rasteve që kërkojnë trajtim spitalor dhe përgjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 77 raste të reja pozitive, ndërkohë që 48 qytetarë janë shëruar.

 “Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: Tirana 28 raste, Shkodra 13 raste, Durrësi dhe Korça me nga 5 raste; nga 4 raste Delvina dhe Berati; nga 3 raste në Fier, Kurbin dhe Pukë; nga 2 raste në Elbasan dhe Kamëz; nga 1 rast përkatësisht në Krujë, Tropojë, Librazhd, Gjirokastër, Sarandë. Në vendin tonë aktualisht janë 920 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës. Kanë vazhduar testimet serologjike në Laboratorin e Mikrobiologjisë në QSUT”, tha Tomini.

Janë kryer 3380 testime në personel shëndetësor me një pozitivitet të përgjithshëm 6%. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet çdo sipërmarrje turistike dhe të gjithë pushuesve të zbatojnë protokollin e masave anti-Covid19 përgjatë gjithë sezonit. “Stafi i shërbimit, në kontaktet me pushuesit / vizitorët duhet të mbajë në mënyrë të domosdoshme maskat mbrojtëse. Në strukturat akomoduese duhet të ruhet distancimi fizik jo më pak se 1.5 metër. Të zbatohen me rigorozitet masat e pastrimit dhe dezinfektimit në të gjitha zonat bufe, bare, restorante, kuzhina në të gjitha strukturat akomoduese. Të tregohet kujdes në përbormin e ashensorit në strukturat akomoduese që e disponojnë atë, duke respektuar masat e distancimit dhe të higjienës. Të kryhet dezinfektimi i krevateve të plazhit, shërbimeve higjienike dhe aksesorëve të ndryshëm në mënyrë periodike. Të respektohet hapësira midis çadrave dhe ndenjëseve të pushuesve në distancë jo më pak se 3.5 m dhe të evitohen grumbullimet shoqërore,” deklaroi Tomini më tej.

Ekspertja e epidemiologjisë bëri me dije gjithashtu se qytetarët duhet të kontaktojnë në numrin 127 nëse kanë shenja të sëmundjes dhe në të kundërt  nëse kanë nevojë për informacion të kontaktojnë në numrin 0800 40 40.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë 375

 Durrës 174

Shkodër 154

Vlorë 84

Fier 44

Lezhë 27

 Korçë 25

 Kukës 13

Elbasan 12

 Gjirokastër 7

Berat 5


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë