Një 66-vjeçar nga Tirana ndërroi jetë në spitalin infektiv në QSUT, i konfirmuar me Covid-19. Ai ishte i shtruar prej një jave në gjendje të rëndë. I ndjeri është viktima e 49 nga koronavirusi në Shqipëri. “Gjendja e tij është përkeqësuar si pasojë e vështirësë në frymëmarrje dhe pavarësisht frymëmarrjes së drejtuar, terapisë intensive medikamentoze dhe kujdesit të stafit mjekësor, 66-vjeçari, i cili vuante nga diabeti dhe hipertensioni, nuk ka mundur të mbijetojë”, thotë Ministria e Shëndetësisë.
Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit janë shtuar 78 raste të reja me Covid-19. Mjekja Flutura Beqo deklaroi se pjesa më e madhe e rasteve janë kontakte të personave të infektuar më parë. Ajo shtoi se numrin më të lartë të të prekurve ditorë e ka Shkodra me 14 raste edhe më pas vijon, në Krujë janë identifikuar 13 të prekur, Tirana ka 12 raste, 9 janë identifikuar në Pukë, 6 në Delvinë, nga 4 raste në Gjirokastër, Vlorë, Kukës, nga 2 raste në Kamëz, Durrës e Fier dhe nga 1 rast përkatësisht në Kurbin, Korçë, Kavajë, Lushnjë, Mirditë, Pogradec.
“Në spitalin infektiv aktualisht po trajtohen 76 pacientë, 14 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar. Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 33 qytetarë, duke e çuar në 1250 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë janë aktualisht 894 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet të gjithë qytetarëve të respektojnë masat e vendosura, ndërsa bizneset të zbatojnë protokollet e miratuara të sigurisë. Qytetarë, mbani duart të pastra dhe mos e prekni fytyrën. Lani duart sa më shpesh për të paktën 20 sekonda. Ruani distancën fizike në ambientet publike. Kudo kur kjo nuk është e mundur, vendosni maskë apo barrierë mbrojtëse. Bizneset të sigurojnë vazhdimisht elementët e higjienës si sapun, letër për pastrimin e duarve, dezinfektantë. Siguroni ajrosjen e mire, pastrimin dhe dezinfektimin e ambienteve të punës. Përdorni maskat apo barrierat mbrojtëse gjatë kohës që u shërbeni qytetarëve” shtoi Beqo.
Mjekja deklaroi edhe një herë që personat që kanë shenja të sëmundjes, të mos i neglizhojnë por të telefonojnë numrin 127 të urgjencës kombëtare. Ndërsa, nëse kanë nevojë për informacion të telefonojnë numrin 0800 40 40.
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 370
Durrës 176
Shkodër 153
Vlorë 79
Fier 41
Lezhë 26
Korçë 20
Kukës 12
Elbasan 9
Gjirokastër 6
Berat 2
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




