Lajme

Qeveria mendon paketë shtesë për transportin publik

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha sot se pas vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe Ministrisë së Shëndetësisë, transporti publik mund të fillojë menjëherë nga puna, sipas protokolleve të miratuara dhe të bëra tashmë publike për koronavirusin.

Deklaratat u bënë gjatë një aktiviteti të zhvilluar në fshatin Berxullë të bashkisë Vorë, ku ministrja Balluku ishte e shoqëruar nga Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja.

Ministrja Balluku thotë se qeveria po mendon paketë tjetër mbështetëse për ringritjen pas goditjes nga pandemia. Transporti urban është ende në pikëpyetje, por shoqatat janë shprehur se do nisë ai ndërqytetës. Ministrja Balluku u shpreh se kjo paketë e re financiare mbështetëse për shoqërinë  e transportit është bërë në konsultim dhe bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ministrin Ahmetaj, në mënyrë që të gjejnë incentiva që do të ndihmojnë këtë sektor për t’u rihapur.

“Kemi pasur kërkesa të ndryshe nga Shoqatat e Transportit, pasi është e vërtetë që pas disa muajsh të bllokuar dhe pa operime, impakti financiar në kompanitë e tyre ka qenë i rëndë dhe ne jemi konsultuar dhe jemi munduar, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe sigurisht me ministrin Ahmetaj, i cili ka përgjegjësinë e të gjithë paketave të rimëkëmbjes, të gjejmë incentiva të cilat do të mbështesin sektorin për tu rihapur”, tha Balluku.

Ministrja shprehet se kjo është një situatë e vështirë për të gjitha palët dhe duhet ta kalojnë përmes një dialogu dhe mirëkuptimi. Ajo tha se nga dita e nesërme të gjitha linjat e transportit, ato ndërqytetëse, të cilat i përkasin si fushë përgjegjësie Ministrisë së Infrastrukturës, por dhe bashkive të nisin nga puna, pasi kjo është dhe një kërkesë e shumëkërkuar nga qytetarët.

“Gjithashtu ne po punojmë, në kontakt edhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit, që duke filluar nga nesër, datë 24 qershor, të gjitha linjat e transportit, ato ndërqytetëse, të cilat i përkasin si fushë përgjegjësie Ministrisë së Infrastrukturës, por besoj të njëjtën gjë do bëjnë edhe bashkitë, të fillojnë dhe të operojnë”, tha Balluku.

Ndër të tjera, ajo theksoi mbështetjen që qeveria ka dhënë deri tani për këtë shërbim, që sigurisht është prekur nga pandemia duke thënë se shpenzimet për konsumimin e naftës janë mbështetur 100 % nga  shteti, si dhe të gjithë punonjësit e transportit janë mbështetur me pagën e luftës si dhe përjashtimi nga taksat vjetore deri në fund të 2020.

“E kemi thënë që një nga vendimet, të cilat janë marrë është njohja e 100%, nga 43% që ishte deri para pak ditësh, e shpenzimeve për konsumin e naftës nga kompanitë e transportit të udhëtarëve publike. Ne gjithashtu kemi kërkuar dhe kemi dërguar pranë Ministrit të Rimëkëmbjes listën e të gjithë punonjësve të këtyre kompanive për të cilët ne si ministri kemi kërkuar që duhen mbështetur me pagën mbështetëse, që u është dhënë edhe bizneseve të tjera, apo edhe punonjësve të tjerë të ndërmarrjeve të ndryshme deri më sot. Një nga pikat e tjera që kemi kërkuar është edhe mbështetja e pushtetit vendor në këtë paketë incentivimesh, që është përjashtimi nga taksat vjetore të pushtetit lokal deri në 31 dhjetor të 2020-ës”, tha Balluku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë