Lajme

Turizmi kërkon shpëtim: Nisim protestat nëse nuk na plotësohen kërkesat

Humbjet në turizëm 1,5 mld euro. Unioni turistik peticion qeverisë

Unioni Turistik Shqiptar llogarit që humbjet e sektorit janë 1,5 mld euro.

Sipas bashkimit të shoqatave rezervimet e pranverës nga 25 mln netë akomodime të rezervuara nga turistët,80% e tyre janë anulluar dhe 20% janë në pritje të një date udhëtimi e cila është në varësi të dinamikës së pandemisë.

Unioni parashikon që nisur nga situata të humbasin vendet e punës stafi i kualifikuar për shkak të reduktimit të fuqisë puntore nga mungesa e likujditetit deri në masën 70%. Po ashtu do të ndodh braktisjsa e profesionit nga Guidat e licencuara nga pamundësia për ta ushtruar dhe kërkimi i një pune tjetër nga problemet financiare. Në të njëjtën kohë do të ketë konflikt ligjor me bankat nga pamundësia e shlyeries së kësteve të kredive.

Për këtë sipërmarrësit e turizmit i janë drejtuar qeverisë me një peticion ku kërkojnë shpëtimin e turizmit shqiptar.

Në peticionin drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe për dijeni tre ministrive, të Turizmit, të Financave dhe të Mjedisit shoqatat i kërkojnë qeverisë realizimin e 6 kërkesave, mes tyre; heqjen e të gjitha taksave deri në fund të vitit 2020, subvencionimin e pagave edhe për punonjësit e bizneseve të mëdha turistike të larguar nga puna pas datës 10 prill 2020, ngrirjen e kësteve dhe krijimi i kushteve për kreditë të buta për sektorin e akomodimit.

Po ashtu sipërmarrësit e turizmit kërkojnë nga qeveria të japë bonuese për turistët vendas që do bëjnë pushime në Shqipëri, vetëm nëse prenotojnë nëpërmjet turoperatorëve apo agjencive turistike vendase.

Një kërkesë tjetër është zbritja e TVSH-së nga 20% në 10% edhe për hallkat e tjera të turizmit që nuk janë përfshirë në reduktimin e TVSh-së.

“Shumica e kërkesave tona nuk janë realizuar. Nga paketat ne nuk kemi përfituar, por morën pagën 40 mijë lekë ata që hoqën stafin nga puna. Garancia sovrane nuk është ndonjë ndihmë e madhe për biznesin, më shumë është mashtrim sesa ndihmë e vërtetë për sektorin. Kemi menduar të nënshkruajmë një peticion me kërkesa që t’ja dërgojmë kryeministrit dhe brenda 10 ditësh të kemi takim me kryeministrin për të marrë përgjigje. Nëse nuk marrim përgjigje, do të vazhdojmë me protestat përpara kryeministrisë. Kërkesat tona kanë kosto për buxhetin dhe janë jashtë fuqisë së një ministrie”, shprehet kryetari i Unionit Turistik Rrahman Kasa.

Pak ditë më parë edhe 180 agjenci turistike nga i gjithë vendi protestuan përpara Minsitrisë së turizmit për gjendjen sipas tyre katastrifike që po përjeton sektori, i cili është i paralizuar krej për shkak të pandemisë.

Gjashtë kërkesa të turimzit për qeverinë

1-Çlirimin e bizneseve të turizmit nga të gjitha detyrimet fiskale deri në 31 dhjetor 2020 (përfshirë taksat lokale dhe taksën e pronës)

2-Subvencionimin e pagave edhe për punonjësit e bizneseve të mëdha turistike të larguar nga puna pas datës 10 prill 2020

3-Ngrirjen e kësteve dhe krijimi i kushteve për kreditë të buta për sektorin e akomodimit.

-Propozojmë të shtyhen afatet e pagesave të kredive të paktën deri në 30 mars 2021, qeveria duhet të mbulojë me grante nga BE interesin e stokut të kredive në këtë industri.

-Të rritet kapitali i garancisë sovrane dhe tu krijohet mundësi kreditimi hoteleve nga kjo garanci deri 20% të të ardhurave të realizuara në vitin 2019 me interes zero dhe gres periode deri në 2 vjet në mënyrë që të shpëtojë falimenti.

4-Mbështetje nga qeveria me pagesa të sigurimeve shoqërore të hoteleve që kanë profil sezonal dhe kryesisht ato që nuk kanë biznes të dytë gjatë periudhës së dimirt.

5-Zbritja e TVSH nga 20% në 10 % edhe për hallkat e tjera të turizmit që nuk janë përfshirë në reduktimin e TVSH.

6-Bonus për turistët vendas që do bëjnë pushime në Shqipëri.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë