IKMT ka zhvilluar këtë të martë një aksion shembjeje ku ka rrëzuar 11 ndërtime pa leje, të cilat ishin vendosur në plazhin e Dhërmiut.
Ndërtimet ishin pa leje dhe ishin vendosur në rërë. IKMT thotë se në kuadër të sezonit turistik është intensifikuar puna në Dhërmi, dhe jo vetëm, kështu do të vijohet në gjithë bregdetin.
“IKMT, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ushtruan kontrolle në plazhe e hapësira publike në bazë të planit të masave të hartuara enkas për sezonin turistik veror.
Gjatë kësaj jave është verifikuar linja e bregdetit në Dhërmi ku u konstatuan 11 ndërtime pa leje, të ngritura në kundërshtim edhe me rregullat teknike, pasi ishin vendosur në rërë”, thuhet në njoftimin e IKMT-së.
IKMT thotë se ndaj këtyre objekteve është ndërhyrë me mjete duke i prishur, ndërsa ndaj pronarëve abuzivë janë marrë masa administrative dhe kryer veprimet procedurale për ndërtime në kundërshtim me ligjin.
Ndër të tjera, IKMT thotë se në bashkëpunim me Policinë e Shtetit vijon punën evidentimin dhe parandalimin e shkatërrimit të mjedisit qoftë përmes ndërtimeve pa leje, ashtu edhe me hedhje inertesh dhe se ky aksion do të shtrihet në gjithë bregdetin dhe kudo ku ka ndërtime pa leje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




