Presidenti Ilir Meta ka dekretuar katër ligje, mes të cilëve edhe aktin normativ të marrë nga Qeveria dhe më pas votuar nga Parlamenti për faljen e gjobave të vendosura gjatë periudhës së pandemisë për shkelje të kufizimeve të lëvizjes.
Në bazë të aktit normativ fillestar, rreth 10 mijë qytetarë, rreth 7 mijë prej të cilëve këmbësorë u gjobitën për shkelje të kufizimeve të vendosura për parandalimin e përhapjes së Covid-19.
Për këmbësorët gjoba vendosej në masën e 10 mijë lekëve, ndërkohë që për automjetet deri në 200 mijë lek dhe heqje patente deri në 3 vjet. Gjoba u vendosën edhe për persona e riatdhesuar nga vendet me infeksion të lartë koronavirusi, që shkelën rregullin e vetëkarantinimit për 14 ditë në shtëpitë e tyre. Për këtë pjesë masa ndëshkimore financiare shkonte deri në 7 mijë euro.
Brenda më pak se 3 javësh, shuma totale e gjobave të vendosura shkoi në rreth 40 mln lek. Megjithatë, një ditë pasi në Parlament u votuan ndryshimet në Kodin Penal, duke përfshirë parashikimet me gjobë dhe burg për shkelje të karantinës dhe masave kufizuese të vendosura për mospërhapjen e infeksioneve, Kryeministri Edi Rama njoftoi ndërhyrjen tek akti normativ dhe faljen e gjobave të vendosura.
Ndërkohë, tre dekretimet e tjera të Presidentit Ilir Meta lidhen me marrëveshje të nënshkruara mes Qeverisë shqiptare dhe institucioneve ndërkombëtare, përfshirë atë për blerjen e materialeve mbrojtëse dhe pajisjeve mjekësore anti-Covid19 nga vendet e Bashkimit Europian.
Meta kthen ligjin për tenderat sekretë
Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, të miratuar në Parlament gjatë seancës së 16 prillit. Socialistët e votuan këtë ligj duke argumentuar se legjislacioni në fuqi nuk parashikon situata në kohë emergjencash, apo fatkeqësie natyrore.
Por, Presidenti thotë se mënyra e formulimit në disa dispozita të këtij ligji që lidhen me shtrirjen e zbatimit të tij cenojnë parime të rëndësishme kushtetuese. Së pari, Meta thotë se nuk përcaktohet qartë fusha e zbatimit të ligjit dhe nuk ka një objekt shterues të mallrave dhe shërbimeve që mund të prokurohen sipas këtij ligji, cenon parimin e lirisë së veprimtarisë ekonomike, barazisë para ligjit dhe mund të diskriminojë operatorë të ndryshëm në treg duke rritur mundësitë për dëm ekonomik ndaj buxhetit të shtetit.
“Ndryshe nga sa deklarohet në relacion, rezulton se formulimi i dispozitave konkrete të ligjit krijojnë hapësira për përdorimin e procedurave që përcakton ky ligj, edhe për mallra e shërbime që jo domosdoshmërisht lidhen drejtpërdrejt me sigurinë dhe mbrojtjen. Ligji krijon hapësirë për aplikimin e rregullave të tij për një gamë më të gjerë mallrash dhe shërbimesh, që jo domosdoshmërisht lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë”, thotë Presidenti.
Meta thotë gjithashtu se ligji në fjalë mbivendoset me ligjin aktual për prokurimin publik.
“Hapësira e gjerë mbi ligjin e zbatueshëm, që lihet në interpretim të institucioneve shtetërore, pa përcaktuar në mënyrë shteruese objektin dhe fushën e zbatimit të tij, çon në aplikimin e mënyrave të kontraktimit për blerjen e mallrave dhe shërbimeve, sipas këtij akti dhe jo sipas rregullave dhe procedurave të përcaktuara në ligjin “Për prokurimin publik” dhe aktet nënligjore të dala në bazë dhe për zbatim të tij, procedura këto që në thelb parashikojnë të garantojnë në një masë më të madhe transparencën, si një element shumë i rëndësishëm në prokurimin me fonde publike”, shton ai.
Aktualisht, Qeveria zbaton një VKM të miratuar që në shkurt dhe të ndryshuar në gjysmën e dytë të muajit mars për hedhjen e tenderave që lidhen me pandeminë e koronavirusit, praktikë që është kritikuar nga Instituti Shqiptar i Shkencave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




