Vizita e parë e Albin Kurtit si kryeministër në Tiranë nuk që e lehtë. Duke premtuar një fillim të ri për marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, kreu i Vetëvendosjes u takua me të gjithë aktorët politikë në Tiranë. Për Kurtin, i cili ka kaluar 23 vite në opozitë duke premtuar bashkim kombëtar, marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë do të jenë një nga shtyllat e themeleve të mandatit të tij. Por, edhe pse flet për fillim të ri, për kreun e VV-së koha nuk mund të ishte më e gabuar se kaq. Ai mori detyrën disa javë pasi kryeministri Edi Rama hodhi në gjyq ish-homologun e tij , Ramush Haradinaj, një vendim që vazhdon të lërë “shije të keqe” tek opinioni publik në Kosovë. Po ashtu Kurti vjen në pushtet përballë një fakti të kryer, Mini-Shengenit Ballkanik, një nismë nga e cila Kosova është e vetmja që është lënë e përjashtuar. Edhe pse vizita e tij në Tiranë ishte ceremoniale, as Kurti dhe as Rama nuk mundën t’i fshihnin tensionet.
Pas takimit me kreun e qeverisë, Kurti ka anuluar takimin me kryetarin e Tiranës, Erion Veliajn, ku ishte planifikuar që kryeministri i Kosovës të nderohet me “Çelësin e Tiranës”.
Mediat në Kosovë shkruajnë se takimi u anulua me dakordimin e dy palëve për shkak të obligimeve të kryeministrit Kurti. Refuzimi i “Celësit të Tiranës” dhe anulimi i takimit me Veliajn ishte vetëm një nga sinjalet që tregonte se vizita e parë e Kurtit si kryeministër kishte qene mjaft e tensionuar.
Konferenca për shtyp e dy kryeministrave filloi gati 45 minuta me vonesë dhe duke gjykuar nga gjuha e prerë dhe e përzgjedhur, bisedimet prapa kamerave nuk duket të kenë qënë të lehtë. Edhe pse premtoi fillim të ri, Kurti dhe Rama e vazhduan atje ku e ka Haradinaj, duke njoftuar mbajtjen e një tjetër mbledhjeje ndër-qeveritare në Shkodër në muajin mars. Megjithatë, kësaj radhe dy kryeministrat e pranuan se shumë prej marrëveshjejeve të nënshkruara deri më tani për rritjen e bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri nuk kishin nisur ende nga puna.
Për të thyer akujt, Rama njoftoi ngritjen e një komisioni ndër-qeveritar për rishikimin e 77 marrëveshjeve të nënshkruara nga e para si dhe hartimin e marrëveshjejve të reja. Fill pas kësaj deklarate, Rama do të ishte i pari që do të ndalej tek bashkëpunimi rajonal dhe Shengeni i Vogël Ballkanik, duke e bërë të qartë se qeveria e tij nuk do të tërhiqej nga kjo nismë.
“Nëse nuk arrijmë lëvizjet e re të mallrave dhe njërezve, ne kemi dështuar”, tha kryeministri Rama, në një deklaratë të prerë që nuk u kalua pa kundërpërgjigje nga Kurti, për të cilin Kosova dhe Shqipëria janë prioritet i njëra-tjetrës.
“Unë dua që Kosova dhe Shqipëria të jenë prioritet i njëra-tjetrës dhe këto nuk janë çështje që presin në asnjë fushë”, deklaroi kreu i VV-së. Kosova nuk do ia dilte me sukses kundër Serbisë në luftë, por, po ashtu, as në paqe pa Shqipërinë. Prandaj, ne kurrë nuk e harrojmë këtë gjë dhe duam që në shekullin 21-të të ecim bashkë, shpejt, fuqishëm.
I pyetur për Mini-Shengenin, kryeministri i Kosovës tha se kjo temë ishte trajtuar shkurtimisht në këtë takim të parë me Edi Ramën si Kryeministër dhe për këtë la të hapur diskutimet në të ardhmen, por pa dhënë afate. Për të, Tirana dhe Prishtina duhet të përqendrohen tek “makro-shengeni shqiptar”.
“Ky ishte takimi ynë i paarë dhe natyrisht që ka edhe shumë tema të tjera që do të trajtojmë. Mund të them që kjo temë (Shengeni Ballkanik) ishte një temë e trajtuar shkurtimisht, meqënëse takimi sot ishte më shumë për makro-shengenin shqiptar sesa për “Minishengenin ballkanik”, deklaroi Albin Kurti.
Por, Edi Rama nuk e sheh të arritshëm krijimin e “makroshengenit shqiptar” pa “minishengenin ballkanik”. Ai përforcoi ndasitë e shfaqura edhe në të shkuarën mes dy kryeministrave sa i takon kësaj teme.
“Në këtë pikë kemi një diskutim për të çuar para. Por, unë besoj që nuk ka makroshengen shqiptar pa minishengenin ballkanik”, u shpreh ai.
Ende pa e marrë postin e kryeministrit, Albin Kurti nuk e kishte fshehur irritimin e tij lidhur me mënyrën se si Edi Rama po bashkëpunonte me presdentin Aleksandër Vuçiç. Në një intervistë të dhënë një javë më parë, Kurti dërgoi një mesazh kryeministrit Rama, duke deklaruar se Kosova i njeh më mirë fqinjët verior (Serbinë) se sa Shqipëria.
“Unë nuk jam kundër iniciativave për bashkëpunim rajonal, mirëpo duhet të jetë parimi i reciprocitetit dhe përderisa Republika e Shqipërisë i njeh më mirë fqinjët tanë jugor dhe perëndimor, është Republika e Kosovës ajo që i njeh më mirë fqinjët tanë lindor dhe veriorë dhe në këtë aspekt ne mund të jemi komplementar”, u shpreh Kurti.
Kurti nuk e fshehu pakënaqësinë as në vizitën e tij të fundit në Tiranë, pas fitores në zgjedhjet e parakohëshme, kur e kritikoi Ramën se është ngutur kur kishte zgjedhur për partner Beogradin. Sipas tij Shqipëria fillimisht do të duhej konsultohej me Kosovën, më pas Maqedoninë e Malin e Zi dhe në fund Beogradin, edhe atë nëse ndryshon pozitivisht.
Ai nuk ndryshoi qëndrim as nëpër intervista të ndryshme, duke thënë se nuk e kupton nxitimin e kryeministrit shqiptar. Edhe pse takimi I së martës qe i shkurtër , Rama ka deklaruar se në takimin e tyre të fundit ia kishte shpjeguar me orë të tëra Kurtit projektin e Mini-Shengenit Ballkanik. “ Ai nuk dëshiron të kuptojë apo bën sikur nuk kupton është problem i tij”, qe shprehur kryeministri.
Por edhe pse nga takimi i tyre i fundit kanë kaluar gati tre muaj, marrëdhëniet mes dy kryeministrave duket ende të ftohta. Ajo që u bë e qartë ndërkohë që dy kryeministrat flisnin përpara kamerave, është se nuk ishin në një mendje as për Shengenin Ballkanik, dhe as për mënyrën se si do të duhej të forcohej bashkëpunimi dypalësh.
Albin Kurti, kritik i bashkëpunimit të deritanishëm mes shqiptarëve këtëj dhe andej kufirit, kërkoi që mes Tiranës dhe Prishtinës të ketë një fillim të ri të fuqishëm bashkëpunimi. Por Rama, që ka firmosur pjesën më të madhe të këtyre marrëveshjeve dhe ka qenë në tryezë në mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive me Hashim Thaçin, Isa Mustafën dhe Ramush Haradinajn nuk hodhi poshtë bashkëpunimin e deritanishëm dhe foli për nevojën e një ndryshimi shpejtësie në këtë drejtim.
Pas Ramës, Kurti u nis drejt zyrës së kryetarit tëKuvendit Gramoz Ruci, me të cilin zhvilloi një takim të shkurtër.Ruçi shprehu besimin e plotë se në lidershipin e Albin Kurtit dhe qeverisë së re Kosova do të përballojë me sukses sfidat e vështira. Kuvendi i Shqipërisë sipas Ruçit do të nxisë bashkëpunimin për rolin e Kosovës si një faktor paqeje, sigurie e stabiliteti në rajon.
“Sakrificat tuaja si politikan konseguent janë një garanci për realizimin e këtij misioni dhe vënien në jetë të programit ambicioz qeverisës. Kuvendi i Shqipërisë do të jetë si gjithmonë në mbështetje të bashkëpëunimit midis të dy vendeve dhe do të nxisë edhe më tej bashkëpunimin ndërqeveritar”, u shpreh Ruci.
Ndalesa e radhës e kryeministrit Kurti ishte presidenca, ku u prit në një takim mjaft të përzemërt nga presidenti Ilir Meta. Pasi e uroi për marrjen e detyrës së lartë të Kryeministrit, Presidenti Meta nuk i kurse “ngacmimet” në distancë për kryeministrin Rama. Ai i tha Kryeministrit Kurti se: “Qeveria e tij i ka të gjitha mundësitë të jetë një shembull pozitiv i mirëqeverisjes në rajonin tonë”.
Kreu i Shtetit duket se iu referua edhe Mini-Shengenit Ballkanik, për të cilin deklaroi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës janë aq të shkëlqyera e vëllazërore sa janë shembull për bashkëpunimin rajonal në Ballkan.
“Bashkëpunimi midis dy vendeve konsiderohet strategjik, stabilizues për rajonin dhe orientues për perspektivën euroatlantike. Duhet të konkretizojmë Partneritetin Strategjik me Kosovën, duke e bërë atë një model dhe inkurajim për bashkëpunimin rajonal”, – tha Presidenti Meta.
Sipas njoftimit të presidencës, kreu i Shtetit dhe Kryeministri Kurti diskutuan edhe rreth dialogut Kosovë-Serbi, për të cilin Presidenti Meta tha se Shqipëria mbështet Prishtinën.
“Në këtë kuadër janë të mirëpritura dhe përpjekjet e SHBA-ve dhe BE-së, për rifillimin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, tha Meta.“Është e rëndësishme që të gjitha forcat politike të Kosovës të jenë të bashkuara rreth një platforme gjithëpërfshirëse në këtë proces”.
Më pas, Kurti pati një takim 20 minuta, kokë më kokë me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, duke sinjalizuar kështu edhe bashkëpunimin me opozitën shqiptare dhe jo vetëm qeverinë.
Në fund të takimit dy zyrtarët thanë para selisë së PD se me rëndësi është bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve, në të mirë të qytetarëve, të cilët siç theksoi Albin Kurti, janë më të varfrit në rajon.
“Unë pata takim të përzemërt e konstruktiv me Kryetarin e PD, me liderin e opozitës zotin Lulzim Basha. Pozitë opozitë në të dy anët e kufirit, Kuvend dhe qeveri do të bashkëpunojnë. Pra, është obligim i yni si politikanë të jemi në shërbim të qytetarëve edhe të Kosovës, edhe të Shqipërisë, për të ngritur dinjitetin dhe mirëqenien e tyre”, tha Kurti.
Ndërkohë Basha deklaroi se për opozitën e bashkuar prioritetet e bashkëpunimit me Republikën e Kosovës janë të qarta. “Ne do të bëjmë gjithçka për të ndihmuar në tregtinë e lirë, në integrimin ekonomik të Shqipërisë dhe Kosovës, për t’i dhënë shanse për punësim qytetarëve tanë , në veçanti rinisë, për të ndalur shpopullimin që është produkt i drejtpërdrejtë i korrupsionit dhe kapjes së shtetit nga krimi i organizua, sikundër edhe për angazhimin tonë, sot dhe nesër, për të vazhduar fuqimisht mbështetjen nga Republika e Shqipërisë për Republikën e Kosovës, për njohjet ndërkombëtare dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtarë, sikundër edhe për heqjen e vizave edhe për qytetarët e Kosovës”, u shpreh Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.