Gjuha e kujdesshme dhe e përzgjedhur në konferencën e përbashkët për shtyp nuk arriti që të fshehë ndasinë e thellë mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit sa i takon nismës për krijimin e një tregut të përbashkët ekonomik në Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri i Kosovës tha se kjo temë ishte trajtuar shkurtimisht në këtë takim të parë me Edi Ramësn si Kryeministër dhe për këtë la të hapur diskutimet në të ardhmen, por pa dhënë afate. Kurti nënkuptoi se i ashtuquajturi “Shengeni Ballkanik” është i një rëndësie të vogël për Qeverinë që ai drejton në Prishtinë, që ka një tjetër prioritet.
“Ky ishte takimi ynë i paarë dhe natyrisht që ka edhe shumë tema të tjera që do të trajtojmë. Mund të them që kjo temë (Shengeni Ballkanik) ishte një temë e trajtuar shkurtimisht, meqënëse takimi sot ishte më shumë për makro-shengenin shqiptar sesa për “Minishengenin ballkanik”, deklaroi Albin Kurti.
Por, Edi Rama nuk e sheh të arritshëm krijimin e "makroshengenit shqiptar" pa "minishengenin ballkanik". Ai përforcoi ndasitë e shfaqura edhe në të shkuarën mes dy kryeministrave sa i takon kësaj teme.
“Në këtë pikë kemi një diskutim për të çuar para. Por, unë besoj që nuk ka makroshengen shqiptar pa minishengenin ballkanik”, u shpreh ai.
Albin Kurti, kritik i bashkëpunimit të deritanishëm mes shqiptarëve këtëj dhe andej kufirit, kërkoi që mes Tiranës dhe Prishtinës të ketë një fillim të ri të fuqishëm bashkëpunimi.
“Çfarë nuk ka pasur asnjëherë mes dy vendeve tona. Kosova dhe Shqipëria janë prioritet. Vendosëm që të formojmë një komision ndërshtetëror i përbërë edhe nga ministra edhe nga deputetë që 77 marrëveshjet që janë nënshkruar të zbatohen dhe të shtohen në marrëveshje të tjera. Të shtojmë bashkëpunimin dhe bashkërendimin”, u shpreh ai.
Rama, që ka firmosur pjesën më të madhe të këtyre marrëveshjeve dhe ka qenë në tryezë në mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive me Hashim Thaçin, Isa Mustafën dhe Ramush Haradinajn nuk hodhi poshtë bashkëpunimin e deritanishëm, por foli për nevojën e një ndryshimi marrshi e shpejtësie në këtë drejtim.
Albin Kurti e nisi nga Tirana vizitën e tij të parë zyrtare si Kryeministër i Kosovës. Në ceremoninë e organizuar në “Pallatin e Brigadave”, Kurti u prit nga Kryeministri Edi Rama.
Siç e do protokolli, himni i parë që u luajt ishte ai i vizitorit dhe Albin Kurti dëgjoi notat e Himnit të Kosovës, që deri vonë nuk e pranonte si të tillë.
Pas luajtjes së dy himneve dy kryeministrat kaluan në tapetin e kuq, u përulën para Flamurit Kombëtar dhe përshëndetën rojet e nderit.
Në fund të ceremonisë që i la vendin nisjes së takimeve mes dy delegacioneve, një shtrëngim duarsh me anëtarë të kabinetit të Qeverisë shqiptare. I pari që përshëndeti Albin Kurti ishte ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent Cakajn, që dikur ka qenë anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe që vetë Kryeministri i Kosovës dhe lideri i VV e ka qortuar fort në të shkuarën.
“Ne kemi shpjeguar qëndrimin tonë përmes një komunikate për ish-anëtarin e Lëvizjes Vetëvendosje. Ai nuk është ministër i Edi Ramës, por është ministër i Baton Haxhiut, nuk është problem Baton Haxhiu, por Stanishiqi”, deklaronte ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.