Kosova

Kuvendi i Kosovës miraton deklaratën kundër vendimit të Hagës

Kuvendi i Kosovës ka miratuar deklaratën e përbashkët që cilëson të padrejtë dënimin e ish-krerëve të UÇK në Hagë.

Deklarata e dakordësuar mes LVV, PDK, LDK, AAK dhe grupit multietnik (jo serb), u miratua me 99 vota pro dhe asnjë abstenim apo kundër.

“Kuvendi shpreh shqetësimin e tij të thellë ndaj vendimit të shkallës së parë ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit. Kërkon nga institucionet veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës. Bën thirrje për një strategji shtetërore për mbrojtjen e së vërtetës. Veprat e serbëve dhe të ish-Jugosllavisë janë vërtetuar nga institucione ndërkombëtare. Kërkon nga Dhomat e Specializuara të Kosovës të respektojë mandatin e dhënë nga Kuvendi i Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Miratimi i deklaratës për Specialen u bë në kohën kur PDK-ja po propozon ndryshime në projektligjin e atyre që zyrtarisht njihen si Dhomat e Specializuara të Kosovës, pas dënimit me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte ndaj Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Selimit.

Projektligji i PDK-së, i propozuar javën e kaluar, kërkon që juridiksioni i Gjykatës Speciale të kufizohet te veprat penale të përmendura në një raport të vitit 2011 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili trajtonte, ndër të tjera, pretendimet për trafikim organesh pas luftës në Kosovë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë