Derbi mes Breshias dhe Atalantës është fituar 0-3 nga skuadra mike. Titullarë në këtë ndeshje ishin dy nga lojtarët e Kombëtares, mesfushori Emanuele Ndoj me Breshian dhe mbrojtësi Berat Gjimshiti me Atalantën. Ka buzëqeshur në fund i dyti, pas fitores së thellë, 0-3. Një fitore që e mban Atalantën në zonën europiane dhe shumë pranë vendeve të para, ndërkohë që Gjimshiti luajti 90 minuta dhe u ndëshkua me karton të verdhë. Breshia e Ndojit, i zëvendësuar në pjesën e dytë, mban vendin e fundit në Serinë A dhe nuk po arrin të dalë nga “tuneli”, pavarësisht ndërrimit të trajnerit.
Një e shtunë pozitive në aspektin personal ishte edhe për mesfushorin e Kombëtares, Klaus Gjasulën. Kapiteni i Paderbornit shënoi golin e parë të karrierës në Bundesligë, por skuadra e tij nuk ia doli të merrte pikë, pasi u mund 2-3 nga Lajpcigu. Gjasula realizoi me një goditje të saktë brenda zonës golin e dytë dhe ndezi shpresat e Paderbornit për të marrë të paktën një pikë, por kundërshtari u mbrojt mirë deri në fund. Paderborni mban vendin e fundit në Bundesligë dhe në 4 ndeshjet e fundit ka pësuar humbjen e tretë. Rruga drejt Bundesligës 2 duket e pashmangshme.
Në një ditë të mirë ka qenë edhe sulmuesi Bekim Balaj në Austri. Ai luajti 90 minuta në fitoren e thellë të Shturmit, 1-5 në fushën e Tirolit, ku dha dy asiste, por pa mundur ta gjente rrugën e rrjetës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.