Ish-sulmuesi i njohur gjerman dhe ish-trajneri i Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jurgen Klinsman, ka marrë zyrtarisht drejtimin e Hertës së Berlinit. Klubi berlinez ka shkarkuar nga detyra trajnerin Ante Çoviç për shkak të rezultateve të dobëta dhe ia ka besuar stolin Klinsmanit.
Jurgen Klinsman kthehet të drejtojë një ekip që pas shkarkimit në vitin 2016 si trajner i Amerikës. Gjermani 55-vjeçar, pas përvojave në krye të Gjermanisë, Bajernit të Mynihut dhe Amerikës, merr drejtimin e Hertës që është në krizë të thellë. Ajo mban vendin e 15-të në Bundesligë dhe ndryshimi i trajnerit ishte i pashmangshëm. Klinsman do të qëndrojë te Herta deri në fund të sezonit aktual, më pas do të shihet e ardhmja e tij.
Çoviç ka qenë pjesë e Hertës që prej vitit 2003, fillimisht si lojtar dhe më pas në role të ndryshme, deri tek ai i trajnerit të parë të skuadrës kryeqytetase. Ai paguan rezultatet zhgënjyese të javëve të fundit, katër humbje, ku më shumë djegin ato në derbin ndaj Union Berlinit dhe ndaj Augsburgut, 0-4 në shtëpi. Për Klinsmanin nis një aventurë e re në Bundesligë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.