Vetëm pak orë pas lamtumirës së Mauricio Poketinos, Totenhemi ka emëruar trajnerin e ri. Ai është Zhoze Mourinjo, i cili kthehet në Premier Leaguer pas më pak se një viti, kur u shkarkua nga Mançester Junajtid. Klubi londinez ka zyrtarizuar gjithçka me një komunikatë, ku bën të ditur se portugezi ka firmosur një kontratë deri në vitin 2023.
"Zhoze është një nga trajnerët më fitues të historisë së futbollit’, - ka thënë presidenti i Totenhemit, Daniel Levi. – Ka eksperiencë të gjatë, ka fituar me të gjithë klubet që ka drejtuar dhe jemi të sigurt se do të sjellë energji në skuadër”. Mourinjo merr vendin e Poketinos, i cili largohet nga Totenhemi pas 5 vitesh dhe 5 muaj pas finales së Championsit me Liverpulin. Ai mbylli një cikël të nisur në vitin 2014. Argjentinasi ka arritur në krye Totenhemit vendin e dytë në Premier në vitin 2017, një finale të “League Cup” dhe mbi të gjitha një finale Championsi. Ecuaria në kampionatin aktual ishte fatale për të, pasi skuadra londineze mban vendin e 14-të.
Me kandidatëve për stolin e Totenhemit pas shkarkimit të Poketinos, ishin edhe italianët Masimiliano Alegri dhe Karlo Ançeloti, si dhe Edi Houe, trajneri i Burnemuthit, por në fund fitoi Mourinjo. Pas firmës, Mourinjo u shpreh shumë entuziast për aventurën e re, duke theksuar: “Është shumë elektrizuese të punosh këtu. Jam shumë i lumtur”. Më parë Mourinjo ka drejtuar edhe Çelsin dhe Mançester Junajtid në Angli, Real Madridin në Spanjë, Interin në Itali dhe Porton në Portugali.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.